Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria ka shënuar hapa pas në luftën kundër korrupsionit, duke u vlerësuar më dobët krahasuar me një vit më parë, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të publikuar nga Transparency International.
Në raportin për vitin 2025, Shqipëria grumbullon 39 pikë, ose 3 pikë më pak se në vitin 2024, duke reflektuar përkeqësim të perceptimit për korrupsionin në sektorin publik. Në renditjen globale prej 182 vendesh, Shqipëria mban vendin e 91, duke mbetur në gjysmën e poshtme të listës. Vendi jonë mbetet i fundit në rajon.
Raporti evidenton se mungesa e transparencës në vendimmarrjen për projekte investimi me vlerë të lartë është një problem i përhapur në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për Shqipërinë, përmendet konkretisht projekti i zhvillimit të ishullit të Sazanit, i cilësuar si një investim madhor që ngre shqetësime serioze për rrezikun e degradimit mjedisor dhe dëmtimin e faunës në zonë.

Po ashtu, Transparency International nënvizon se në disa vende të rajonit, përfshirë Ballkanin Perëndimor, reagimi i dobët i gjyqësorit mbetet një nga pengesat kryesore për luftën efektive kundër korrupsionit. Situata rëndohet më tej nga fakti se gjyqtarët dhe prokurorët po kthehen gjithnjë e më shpesh në objekt sulmesh dhe presioni nga ana e qeverive, çka minon pavarësinë e drejtësisë dhe besimin e publikut tek institucionet.
Raporti paralajmëron se pa forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së institucioneve të pavarura, përpjekjet kundër korrupsionit rrezikojnë të mbeten formale, duke penguar progresin demokratik dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Transparency përshkruan një botë që po bën regres në luftën me korrupsionin, nga vendet më të pasura tek ato më të varfra.
Çfarë po ndodh në botë
Tetë vende në rajonin e Azisë dhe Paqësorit kanë përmirësuar performancën që nga viti 2012; megjithatë, ekzistojnë dallime të thella brenda këtij rajoni të larmishëm, ku shumë vende vazhdojnë të përballen me korrupsion të përhapur. Elitat e lidhura fort me pushtetin shpesh blejnë ndikim politik dhe shumë ligje nuk zbatohen siç duhet, duke bërë që shumica e udhëheqësve në këtë pjesë të botës të mos përmbushin angazhimet e tyre.
Në Amerikë, vite të tëra mosveprimi nga qeveritë në adresimin e korrupsionit kanë dobësuar demokracinë dhe kanë lejuar rritjen e krimit të organizuar, me pasoja serioze për të drejtat e njeriut dhe sigurinë.
Europa Lindore dhe Azia Qendrore mbeten ndër rajonet me performancën më të dobët në botë, ku pandëshkueshmëria e përhapur për korrupsion nxitet nga interesa të ngulitura që dominojnë shumicën e qeverive dhe institucioneve të tyre.
Demokracia e dobët në pjesën më të madhe të Afrikës Subsahariane, shpesh e shoqëruar me konflikte të armatosura, pasiguri dhe trazira civile të përshkallëzuara , vazhdon të minojë qeverisjen, stabilitetin ekonomik dhe përpjekjet për zhvillim.
Qeveritë e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut vazhdojnë të dështojnë në trajtimin e korrupsionit në sektorin publik, duke reflektuar angazhim të paqëndrueshëm nga ana e liderëve dhe dobësinë e institucioneve që duhet të mbajnë pushtetin përgjegjës.
Vendet e Europës Perëndimore përbëjnë nëntë nga dhjetë shtetet më të mira në nivel global në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Megjithatë, përpjekjet kundër korrupsionit kanë ngecur kryesisht vitet e fundit, ndërsa rezultati mesatar i rajonit në këtë indeks ka rënë më shpejt se në çdo rajon tjetër.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



