Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar gjatë një operacioni të Autoriteteve italiane dhe SPAK-ut, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim në Shqipëri, pasi kishin zhvatur miliona euro nga mashtrimet online përmes bursave.
SPAK, në një konferencë të përbashkët për shtyp me prokurorët italianë, dha detaje për operacionin e nisur në vitin 2020.
Aktiviteti zhvillohej në Tiranë, ndërsa qytetarët e mashtruar janë shtetas italianë, të cilët jetojnë në Itali dhe kontaktoheshin gjatë periudhës së pandemisë Covid 19 në forma të ndryshme.
Ata i joshnin dhe bindnin viktimat që të investonin për blerje aksionesh në “Amazon” dhe më pas për hedhjen e parave në kriptovalutë.
Për t’i mbajtur të lidhur me skemën, operatorët i shantazhonin qytetarët me foto dhe të dhëna personale që të mos tërhiqeshin nga investimi.
Të arrestuarit dhe dëmi ekonomik
Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Tirana, prokurori i SPAK Ened Nakuçi, bëri me dije se janë arrestuar 3 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 5 të tjerë. Të arrestuarit janë Elisa Caci, Gilberto Pushani, Valbona Abedinaj.
Sipas tij, dëmi ekonomik është në vlerën 4.7 milionë euro, por kjo shifër mendohet se është vetëm “maja e ajsbergut”.
Hetimet për këtë grup filluan pas denoncimit të bërë në Itali, ku më pas u zbulua një skemë komplekse mashtrimi.
Skema e mashtrimit
Prokurori i SPAK bëri me dije se qytetarët që do të mashtroheshin, kontaktoheshin me telefon dhe bindeshin që të investonin fillimisht në shuma të vogla në vlerën e 250 euro për të blerë aksione në Amazon. Më pas, kërkesat për investime rriteshin më shumë.
Paratë që përfitonin nga italianët, grupi kriminal i investonte në kriptomonedha jashtë Shqipërisë, me qëllim për të mos u gjurmuar, në një pastrim të mirëfilltë parash.
Në kuadër të këtij hetimi, në Itali është sekuestruar edhe serveri duke bërë të mundur fikjen totale të aktivitetit të këtij Call-Centeri.
Ndërsa prokurori italian, i pranishën gjatë konferencës në SPAK, deklaroi se në Itali janë mashtruar 220 viktima zyrtarisht, por ata mendojnë se numri i qytetarëve që kanë rënë pre e kësaj skeme mund të arrijë deri në 1200.
Më pas paratë përfundonin në llogari të ndryshme bankare në Estoni, Qipro, Gjermani, Lituani dhe Holandë.
Prokurori i SPAK Ened Nakuçi bëri të ditur se mashtruesit përdornin skema për të fituar besimin e “viktimave” të tyre.
Sipas tij, ata telefonin vazhdimisht qytetarët që donin të mashtronin, duke krijuar me ta afrimitet. Duke shfrytëzuar pandeminë, ata fokusonin bisedat e tyre tek situata e keqe e pandemisë dhe numri i viktimave.
Duke shfrytëzuar edhe vetminë e këtyre qytetarëve për shkak të pandemisë, mashtruesit vetëofroheshin si miq.
Si josheshin qytetarët
Qytetarëve në Itali, të cilët ishin të grupmoshave dhe kategorive të ndryshme, u kërkohej fillimisht që të investonin 250 euro për të blerë aksione në Amazon dhe fitimi do t’u kthehej brenda 1 jave.
Më pas i bindnin që të investonin në kriptovalutën Bitcoin dhe investimi do të rritej më shumë pas hedhjes në treg të vaksinave anti-Covid 19. Telefonatat bëheshin nga numra anglezë të përdoruesve italianë.
Teknikat tradicionale dhe të hetimit kibernetik, kanë nxjerrë në dritë një skemë komplekse kriminale, me pastrimin e shumave të parave të zhvartura në vende të ndryshme anëtare të BE-së, përfshirë Qipron, Lituaninë, Estoninë, Holandën dhe Gjermaninë, dhe shndërrimin e tyre në kriptomonedha.
Shantazh ndaj viktimave
Pasi kishin krijuar afrimitet me qytetarët italianë, mashtruesit gjurmonin hap pas hapi të gjitha veprimet e tyre. Në sajë të “besimit” të fituar, shumë nga të mashtruarit i kanë lejuar mashtruesit që të përdornin në distancë kompjuterin e tyre përmes programit “Anydesk” që të bënin transferimin e parave.
Duke përdorur këtë akses në kompjuterin e tyre, mashtruesit kontrollonin emailet dhe dokumente apo foto personale që qytetarët kanë patur në kompjuterin e tyre. Kjo bëhej me qëllim që të shantazhonin qytetarët në rast se këta të fundit hezitonin të investonin.
Sipas prokurorit të SPAK, sa herë që mashtruesit hasnin në hezitim, bëheshin agresiv dhe përdornin dokumentet për t’i bindur qytetarët që të investonin.
Në raste të tjera, viktimat me vullnet të lirë i jepnin kredencialet e aksesit në shërbimet bankare për të shpejtuar kryerjen e investimeve.
Rekuperimi i parave
Prokurori italian sqaroi se rikuperimi i parave përmes Bitcoin është tepër i vështirë të arrihet. Raffaele Tito u shpreh se deri tani, nuk rezulton asnjë italian i përfshirë ndonëse nga përgjimi i telefonatave kuptohet qartë se bisedimet bëheshin në italisht.
Përgjimet e telefonatave
Në rrjedhën e më shumë se 42,000 përgjimeve telefonike të kryera nga hetuesit italianë, doli se sa të aftë ishin mashtruesit në përdorimin e teknikave reale të bindjes dhe plagjiaturës, deri në atë pikë sa i bindnin viktimat të merrnin borxhe dhe të paguanin, me kalimin e kohës, disa qindra mijëra euro.
Hetimet kanë zbuluar rreth 90 mijë kontakte telefonike të shtetasve italianë, për përdorim të operatorëve “Call center”, të gatshëm për t’u lidhur për propozime false investimi.
Rreth 42 mijë telefonata të bëra nga qendra e thirrjeve janë përgjuar. Në të njëjtën kohë në Itali u sekuestrua edhe serveri i përdorur nga shoqata për të errësuar gjurmët e saj kompjuterike dhe për të penguar hetimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.