Histori

Shqipëri 1977 / U arrestua një ditë para zgjedhjeve se deklaroi që nuk do të votonte

Nga Gazeta “SI”– Më 3 Mars 1977, në Shqipëri zhvilloheshin zgjedhjet e radhës për këshillat popullore dhe gjykatat popullore. Në këto zgjedhje, votoheshin formalisht kandidatët e listës së Frontit Demokratik, lista të cilat ishin miratuar më parë nga Partia e Punës në forumet e saj.

Daut Kanan Aliaj, i vitlindjes 1937, lindur e banues në Gorisht të Vlorës, anëtar i kooperativës bujqësore, baba i 7 fëmijëve të mitur, ishte 40 vjeç kur u arrestua më 2.4.1977 (një ditë para zgjedhjeve).

Ai akuzohej në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal,  për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.  Në proces i dolën 6 dëshmitarë. U cilësua se faji i tij kish qenë se gjatë fushatës së zgjedhjeve ishte shprehur se do të griste fletën e votimit, duke ftuar ata që e dëgjonin të mos votonin, duke hedhur fjalë kundër njerëzve që përbënin listën e Frontit Demokratik, sidomos ata nga fshati i tij.

Daut Aliaj i pakënaqur ndaj emrave, e kishte cilësuar Partinë e Punës si revizioniste.

Gjesti se do të griste votën u cilësua “kundërrevolucionar”, ndërsa gjykata vlerësonte se me të pandehurin ishte bërë edhe “punë sqaruese”.

Fletë votimi në Komunizëm

Gjykata Popullore e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.214, datë 26.8.1977, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 6 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. U lirua më amnisti më 15.11.1982.

Në komunizëm ditët e zgjedhjeve shikoheshin si shenjë proteste nga persona të cilët ishin të pakënaqur. Këtë ata tentonin ta shprehnin kryesisht me mospjesëmarrje. Disa të tjerë, në gjaknxehtësi edhe me veprime të guximshme të cilat mund të trajtoheshin si agjitacion e propagandë, pavarësisht se nuk e formonin figurën e krimin sipas Kodit Penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë