Kosova

‘Shpresat e Kurtit te diaspora’… Kush i ka votat për Qeverinë në Kosovë?

Nga Gazeta ‘Si’ – Fitorja prej 41.29% e votave për Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit nuk mjafton për të formuar qeverinë. 

Kjo për qindje përkthehet në vetëm 47 mandate po për të qeverisur e vetme, LVV-së i duhen 61 mandate në parlamentin 120 vendësh.

Me 21.99 për qind të votave, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.68 për qind të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.65 për qind të votave.

Lista Serbe ka fituar 4.05 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.

Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre, dhjetë ulëse janë të garantuara për komunitetin serb.

Shpresat e Kurtit te votat e diasporës

Për momentin, rezultatet aktuale mund të ndryshojnë pas numërimit të votave të diasporës.

Nëse VetëVendosja merr edhe dy-tre deputetët nga votat e emigrantëve, atëherë llogaritë mund të pësojnë kthesë. Por në të kundërt, konfigurimi i Kuvendit mbetet ende i paqartë.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me partitë e deritashme opozitare.

Një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar edhe dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas rezultateve parlamentare është e dyta, nuk e ka vënë “vija të kuqe” për asnjë subjekt politik për koalicionet eventuale pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, mbrëmë, pasi shpalli fitoren, Albin Kurti deklaroi se të vetmet parti me të cilat do të shkojë në koalicion janë “Guxo” dhe “Alternativa”.

A është e domosdoshme Lista Serbe për krijimin e Qeverisë?

Tensionet e shpeshta në veri të Kosovës që nga viti 2022 e deri në këto zgjedhje, e kanë pozicionuar Listën Serbe si kundërshtare të Qeverisë aktuale të Albin Kurtit.

Pas rezultateve përfundimtare, pritet të shihet nëse Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvend.

Por, edhe në rast se Lista Serbe ka fituar jo të gjitha, por shumicën e mandateve të garantuara, atëherë ajo është përfaqësuesja më legjitime e komunitetit serb në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë