Ka ndodhur

Shpërthimi në Lushnjë / Shkeli rregullat e punimeve në kapanon, arrestohet përgjegjësi

Gazeta Si - Leonard Gjini, 32-vjeç, është arrestuar në Lushnjë, pasi akuzohet se ishte përgjegjës i punimeve në kapanonin ku ndodhi shpërthimi, si pasojë e të cilit babë e bir humbën jetën dhe shtatë të tjerë u lënduan.

Sipas policisë, Gjini ka qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes.

Sipas hetimeve paraprake, rezulton se 32-vjeçari ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtës në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Si pasojë e shpërthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Taulant Balla, kërkoi që policia dhe prokuroria të vazhdojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen.

“Është shumë e rëndësishme që policia dhe prokuroria të vazhdojnë hetimet. Më vjen mirë që policia e shtetit në raportimin paraprak ka identifikuar disa elementë të disa veprave penale që tashmë duhen hetuar thellësisht nga prokuroria dhe dua që t’i kërkoj kukuvajkave të politikës që të le të lenë policinë e shtetit dhe prokurorinë të bëjë punën si duhet”, tha Balla.

Shpërthimi në Lushnjë i mori jetën Roland e Elidon Hoxhës, babë e bir. Si pasojë e ngjarjes mbetën të plagosur 7 persona, mes tyre edhe deputeti Bujar Çela.

Deri më tani nuk rezulton që shpërthimi të ketë ardhur nga kontakti me linjën e tensionit të lartë, por dyshohet për shkak të saldimit të pjesëve. Për këtë arsye po vijojnë hetimet për të zbuluar saktësisht se çfarë ndodhi të premten e 1 marsit


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë