Anëtari i kryesisë së PD-së së Rithemelimit, Eno Bozdo, tha përmes një konference për mediat se ngjarja tragjike e ndodhur në Lushnjë ku humbën jetën 2 shqiptarë, babë e bir dhe plagosur disa të tjerë, do të ishte shmangur në se do të zbatoheshin ligjet dhe rregullat teknike të parashikuara.
‘Kjo tragjedi mund dhe duhej të ishte shmangur me çdo kusht. Sepse është plotësisht e ndaluar të kryesh punime civile poshtë linjave të tensionit, pa respektuar minimumin e rregullave teknikë.
Leja e ndërtimit, nëse ka patur një të tillë, qartësisht është dhënë jashtë kritereve ligjore, sepse ligji në Shqipëri nuk vepron për njerëzit e partisë. Në një vend ku po të zëvendësosh një dritare duralumini të mbërrijnë në derë 10 inspektorate të ndryshëm, është e pamundur të bësh punime të këtij lloji pa asnjë kontroll.
Kjo sepse deputeti i Partisë Socialiste dhe familjarët e nënkryetarit të bashkisë së Lushnjes qëndrojnë mbi ligjin, sepse modeli i kësaj qeverisjeje është pikërisht ky: ligji përdoret si shkop për të goditur të pambrojturit dhe keqpërdoret për të eliminuar kundërshtarët politikë. Njerëzit e pushteti mund të bëjnë c`të duan dhe kur të duan.
Së treti, Taulant Balla duhet të heqë dorë nga të gjitha përpjekjet për të mbuluar këtë ngjarje të rëndë si pakujdesi dhe për të falsifikuar të vërtetën. Kjo fatkeqësi ndodhin jo vetëm se u shkel ligji, por mbi të gjitha u shkel me arrogancën e zakonshme të pushtetit”, tha Bozdo.
Më tej ai shtoi: “U shkel siç shkelet rëndom në çdo cep të Shqipërisë, përsa kohë njerëzit e partisë kanë interesat e tyre ekonomikë dhe politikë. Kjo fatkeqësi ndodhi, jo vetëm sepse dikush u tregua i pakujdesshëm, por sepse ky është modeli dominues shoqëror dhe politik që Partia Socialiste i ofron shqiptarëve sot. Prandaj i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese të deklarojnë të vërtetën, siç është dhe jo siç Taulanti, Ministër i Brendshëm dhe drejtuesi i PS për qarkun e Fierit, dëshiron. Kjo ngjarje e rëndë duhet të shërbejë, me apo pa dëshirën e Taulantit, për të vënë të gjithë përgjegjësit përpara drejtësisë, edhe pse ata janë eksponentë të lartë politikë të partisë në pushtet. Ndryshe ngjarje të tilla do të përsëriten!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.