Drejtësia

Shpërthimi në biznesin e tij në Lushnjë, deputeti i PS, Bujar Çela paraqitet në SPAK. Avokati: U pyet si person në hetim

Gazeta Si- Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela është paraqitur këtë të mërkurë në SPAK për herë të parë i thirrur për shpërthimin në biznesin e tij në Lushnjë, ku humbën jetën dy persona, babë e bir nga një shpërthim. 

Në përfundim të marrjes në pyetje për rreth dy orë, deputeti nuk foli gjatë për mediat, por avokati i tij theksoi se shkoi si person në hetim.

Sipas avokatit, Çela është në gjendje jo të mirë shëndetësore, ku shpërthimi ka lënë pasoja që nuk janë rikuperuar. Për këtë arsye, ai tha se deputeti nuk dha shumë deklarime.

“Nuk na është njoftuar akuzë, është person në hetim. Për shkak të gjendjes shëndetësore nuk dha dot deklarim të saktë, por është sekret hetimor. Do t’iu sqarojmë në një moment të dytë”, tha avokati i deputetit.

Bujar Çela u akuzua nga prokuroria e Fierit për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “ndërtim të paligjshëm”, dhe “shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Çështja ndaj Çelës iu transferua për kompetencë Prokurorisë së Posaçme. Ngjarja ndodhi në 1 mars 2024 në Lushnjë, ku humbën jetën babë e bir, dhe u plagosën 7 persona të tjerë.

Edhe Çela mbeti vetë i plagosur në atë shpërthim të regjistruar në magazinën në pronësi të tij, e cila rezultoi në tejkalim të lejes së ndërtimit.

Përgjegjësi për atë ngjarje Prokuroria i ka atribuar edhe biznesmenit, Leonard Gjini të kontraktuar për zhvillimin e ndërtimeve në kapanon nga deputeti Çela.

Ndaj tij rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për të cilën Gjini u vu në pranga nga policia, arrest ky që u rikonfirmua këtë të enjte nga Gjykata e Fierit.

Po ashtu nën akuzë pas kësaj ngjarje janë vënë dhe 5 zyrtarë, 4 prej të cilëve punonjës të bashkisë ndërsa 1 tjetër i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Lushnjë.

Për ta gjykata ka caktuar “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë