Drejtësia

Shpërthimi me 2 viktima në Lushnjë, Apeli i Posaçëm lë në fuqi masat e sigurisë ndaj inspektorëve

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për personat e proceduar lidhur me shpërthimin në biznesin e deputetit socialist Bujar Çela, ku për pasojë humbën jetën dy punonjës dhe u plagosën të paktën 7 të tjerë, mes të cilëve edhe vetë deputeti.

Avokatët kishin kërkuar heqjen e masës së pezullimit për inspektorët e IMT Lushnjë.

Ndërkohë nga ana tjetër SPAK vijon hetimet ku ka urdhëruar kryerjen e një sërë veprimeve, përfshirë akt-ekspertizë të re për shkaqet e shpërthimit, ndërsa është në pritje të konkluzioneve që do të nxirren.

Vetë deputeti deri më tani rezulton i “amnistuar” nga drejtësia, pasi ndonëse u konstatuan shkelje duke nisur që nga “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelje e rregullave në punë”, nuk është marrë asnjë masë apo të jetë ngritur akuzë ndaj tij.

Nga shpërthimi humbën jetën Roland dhe Elidon Hoxha babë e bir, që e kishin ditën e parë të punës dhe të paregjistruar si punëmarrës në instancat përkatëse, ndërsa mbetën të plagosur 7 të tjerë.

Pas kalimit për kompetencë tek SPAK i dosjes hetimore, Prokuroria e Posaçme zbriti në GJKKO kërkesën për rivlerësim të masave që kishte caktuar Gjykata e Fierit.

Shumica e personave që u është ngritur akuza janë pa masë sigurie, përveç asaj të pezullimit nga detyra, ndërsa i vetmi që u arrestua ishte Leonard Gjini, kompania e të cilit kishte marrë përsipër punimet.

Edhe ky i fundit qëndroi në qeli vetëm 2 ditë, duke u liruar pa asnjë masë, teksa GJKKO tha se mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë