Futboll

Shpërthen edhe Myrto Uzuni me dopietë, sulmuesit kuqezi të karikuar para Europianit

Gazeta si – Pas Rei Manajt dhe Sokol Cikalleshit, ishte radha e Myrto Uzunit të shënonte sot në Europë. Sulmuesi kuqezi realizoi një dygolësh në La Liga, në ndeshjen ndaj Real Sociedadit, që përfundoi me rezultatin 2-3. Nuk mungoi festa me shqiponjë e lojtarit shqiptar.

Uzuni hapi serinë e golave me një penallti, kundërshtari barazoi dhe përsëri futbollisti beratas i dha avantazhin Granadës, duke shënuar me kokë nga afër portës. Skuadra e lojtarit të Kombëtares e pati të vështirë ta mbronte rezultatin dhe në fund u dorëzua përballë forcës së Real Sociedad, që është një ekip Championsi.

Ndeshja e Myrto Uzunit zgjati 81 minuta. Ky dygolësh i tij është një sinjal mjaft i mirë pak muaj para nisjes së Europianit. Ai dhe sulmuesit e tjerë kuqezi duken vërtet të karikuar me skuadrat e tyre, sepse nuk duan ta humbasin kurrsesi eventin madhor të verës.

Për Uzunin ndërkohë ka edhe lajme merkatoje dhe golat sigurisht që ia shtojnë vlerën atij. Ditët e fundit në skenë ka dalë Sevilja, një klub me emër në Spanjë, që ka në planet e së ardhmes edhe futbollistin e Kombëtares shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë