Lajme

Vini re… zhduket ish-gjyqtari Genci Sinjari

Tetë muaj nga nisja e seancave dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, intistucioni i shkallës së parë të vettingut është vendosur në një situatë të paprecedentë. Nuk po gjen dot adresën e një ish-gjyqtari, i cili, kur sapo kishte nisur tik-taku i vettingut, dha dorëheqjen nga detyra. Genci Sinjari ishte gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative deri në maj 2017. Ai mbante detyrën e kryetarit të kësaj gjykate derisa u dorëhoq, një vendim për të cilin në atë kohë u shpreh edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kur edhe deklaroi përfundimin e mandatit të magjistratit.

Problematika

Por, çështja e dorëheqjeve nga detyra e gjyqtarit dhe prokurorit, siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme (kujtojmë rastin Llalla), sjell automatikisht edhe ndërprerje të procesit të kontrollit. Siç duket, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Genci Sinjarin. Por, vendimi i marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit që mban datën 29 shtator dhe numër 66 nuk dihet sesi t’i komunikohet njeriut të drejtësisë, që siç duket, edhe pse gjendet në kontinentin amerikan, i ka zënë mat organet e vettingut. Në një shpallje publike, KPK thotë se ky vendim sipas ligjit të vettingut duhet t’i vendoset në dispozicion edhe subjektit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Nga ana e komisionit, thuhet më tej, u bënë përpjekje për komunikimin e vendimit ish-gjyqtarit Sinjari, duke e dërguar vendimin në adresën: Rruga Andon Sinjari, Njësia Administrative 2, Berat. Por, në këtë adresë nuk ka qenë e mundur që ai të vihet në dijeni. Në këto kushte, njoftohet më tej, bëhet kjo shpallje publike me efekt 20 ditë. Për këtë arsye Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vulosur katër kopje shpallje publike ku përfshihen adresa më e fundit e ish-gjyqtarit, këndi i njoftimeve tek ish-lidhja e shkrimtarëve ku edhe gjendet selia e KPK-së si edhe kopje pranë njësisë bashkiake.

Komunikimi me palët

Siç parashikon ligji, kanali kryesor i komunikimit me prokurorët dhe gjyqtarët është posta elektronike. Përmes e-mailit, katër trupa gjykuese të përbëra në total nga 12 komisionerë ju kërkojnë informacione shtesë subjekteve të rivlerësimit. Bëhet fjalë për pyetje argumentuese mbi paqartësitë që dalin nga vlerësimi i pasurive, i aftësive profesionale dhe kontrolli i figurës. Gjatë këtij komunikimi elektronik, gjyqtarët dhe prokurorët kanë të drejtë të bashkangjisnin dokumente provuese që rrëzojnë gjetjet e ILDKPKI për pasuritë, siç ka ndodhur më së shumti me justifikime të huave apo dhuratave nga vjehrri e vjehrra. Por, justifikimi më klasik i gjyqtarëve, që janë zbuluar me pasuri të pajustifikuara, është marrja e kredive, blerja e apartamenteve me çmime që nuk përputhen në kontratën e porosisë e më tej në kontratat përfundimtare, por edhe kursimet e forta në stilin e të jetuarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë