Në Shqipëri për zgjedhjet e 30 qershorit do të votojnë 3,536,015 shqiptarë. Ky është numri i listës totale të zgjedhësve të publikuar sot nga ana e ministrisë së Brendshme nëpërmjet një njoftimi zyrtare. Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra. Lista Përfundimtare e Zgjedhësve, sipas ministrisë ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2017.
Ministria e Brendshme, pretendon se për herë të parë u arrit të zbardheshin adresat e sakta për rreth 285 mijë zgjedhës, të cilët në vend të adresës së vlefshme kishin kodet 999, 888 dhe 000 në listën zgjedhore, duke i eliminuar këto kode. Në listën e përditësuar janë hequr dublikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘Dekriminalizimit’.
Hartimi i listës ka qenë i bazuar në gjashtë faza, duke nxjerrë ekstraktet e listave më 4 dhjetor, 3 janar 2019, 1 shkurt, 1 mars, 29 mars dhe 28 prill. Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve.
Audituesit e KQZ-së, që i përkasin dy partive, PD dhe PS kanë ndjekur procesin e përpilimit të listës së zgjedhësve. Eksperti demokrat ka pasur vërejtjet e mbi mënyrën e hartimit të listës, duke shprehur para KQZ-së se nuk ka pasur akses të plotë në Zyrat qendrore të Gjendjes Civile. Vetë PD-ja, edhe pse ka deklaruar mos pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit, ka ngritur dyshime të forta mbi procesin e hartimit të listës së zgjedhësve, madje ka propozuar që realizohet një regjistrim i ri derë më derë i popullsisë me qëllim krijimin e sistemit të saktë të adresave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




