Politike

Shpallet Federata e Opozitës së Bashkuar, nuk firmosin Shehi, Idrizi dhe ngërçi me Bashën. Berisha firmos si ‘kryetar’ i PD (fotot) 

Në mesditën e të premtes opozita shpalli Federatën e Opozitës së Bashkuar ku marrin pjesë aleatët e djathtë të PD-së, si dhe Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta. Në deklaratën e përbashkët që mban tre pika bie në sy mungesa e aleatit të përhershëm të PD-së, kryetarit të LZHK-së, Dashamir Shehi.

Një tjetër aleat i rëndësishëm për PD të paktën në zgjedhjet e fundit parlamentar është edhe Shpëtim Idrizi. Edhe ky i fundit nuk ka firmosur edhe pse sot PDIU-ja përfaqësohet në Kuvend me deputetë që u futën në listën e PD.    

Në ngërç është edhe pjesëmarrja e Lulzim Bashës, kur edhe pse Mediu dhe Duka kanë njoftuar se i kanë çuar platformën paraprakisht edhe Bashës për tu bashkuar, dokumenti shoqërohet me një nonsens jo të vogël.

Në deklaratën e përbashkët të Federatës së Bashkuar ndodhet edhe firma e Sali Berishës që logjikisht i bie si kryetar i PD-së sa kohë që partite kanë firmosur në nivel kryetari. Atëherë Lulzim Basha në çfarë cilësie duhet të marrë pjesë në tryezë, sa kohe që me letra gjykate është ai kryetar?

Firmat e kryetareve te partive qe kane firmosur per krijimin e Federates. Ne emer te PD-se eshte firma e Sali Berishes

Në dokument është firma e Berishës, por sa kohë që ky i fundit ndodhet në ‘arrest shtëpie’ në tryezën e organizuar në një nga hotelet e Tiranës, PD-ja përfaqësohej zyrtarisht te premten nga Flamur Noka dhe Gazment Bardhi. Ndërsa PL-ja përfaqësohej në tryezë në nivel nenkryetari me Petrit Vasilin

Firma e Berishës dhe njohja e këtij të fundit si drejtues i PD-së edhe nga partite e tjera qe kane firmosur është ngërçi kryesor për ta futur "në vath", jo vetëm Bashën, por edhe Shehin e ndoshta edhe Idrizin sa kohë që tre pikat e Federatës (një ide e iniciuar nga aleatët) janë formale ku mund ta gjejnë veten te gjithë aktorët e opozitës përfshi edhe debatin për reformën zgjedhore   

Tre pikat e Federatës së Opozitës së Bashkuar dhe firmëtarët

Deklarojmë sa më poshtë:

1. Institucionalizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, sipas parimit “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e cmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë.

2. Rikonfirmojmë vendosmërinë për t’u përballur me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës, që gjatë qeverisjes së tij ka shndërruar Shqipërinë në vendin e pamundësive për shqiptarët e ndershëm dhe po detyron rininë të braktisë vendin për shkak të pamundësive ekonomike.

3. Shpallim:

i) “garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, përmes realizimit të një Reformë Zgjedhore kuptimplotë dhe për adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it, që siguron një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, si dhe

ii) “nevojën për të koordinuar përpjekjet për rikthimin e pluralizimit dhe demokracisë funksionale”, si dy prioritete kryesore të axhendës politike të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë