Arsim

Rezultatet paraprake te Filologjiku: Bum aplikimesh në gazetari, 2200 aplikime për 80 kuota. Gjuha dhe Letërsia përzgjedh ekselentët

Gazeta Si- Fakulteti i Histori-Filologjisë ka miratuar sot rezultatet paraprake të fituesve për degët e këtij fakulteti, ku edhe për vitin e ri akademik 2022-2023 degët e Gazetarisë dhe Gjuhë-Letërsisë mbeten më të preferuarat.

I kontaktuar nga Gazetasi.al, shefi i departamentit të Gjuhë-Letërsisë në fakultetin e Filologjisë, Shezai Rrokaj,  u shpreh se sipas renditjes së fituesve, maturantët e listuar kanë mesatare mbi 8, madje ndër ta ka dhe ekselentë.

“Që prej vitit 2020, numri i kërkesave për degët e fakultetit të Filologjisë mbetet në të njëjtat nivele. Për vitin akademik 2022-2023 janë 810 aplikime për 165 kuotat e këtij viti në degën e gjuhës dhe letërsisë dhe mbi 2260 aplikime për 80 kuota në Gazetari. Ky numër nuk ka ndryshuar shumë në raport me vitet 2020 dhe 2021 ku numri i aplikimeve për gjuhën dhe letërsinë ishte 721 dhe 784 kërkesa për këto degë. Ndërsa për Gazetarinë ka vijuar të jetë i lartë, në 2020 ishin 2864 aplikime dhe në vitin 2021, 2824 maturantë që aplikuan për këtë degë”, tha profesor Rrokaj.

Sipas tij, nisur nga vendimi i qeverisë që mban datën 1 qershor 2022, degë të tilla si Gjuha, Letërsia, Historia dhe Gjeografia, pjesë e listës së fituesve të përzgjedhur, janë studentë që përfitojnë bursa nisur nga rezultatet e Maturës Shtetërore. Rrokaj thotë se kjo e bën listën dinjitoze duke patur një mesatare mbi 8 të studentëve të rinj.

Shefi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, profesor Shezai Rrokaj. Gazeta “Si”, 31 gusht, 2022.

Shefi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, profesor Shezai Rrokaj thotë se vendimi i qeverisë, duke shpallur disa fakultete që diplomojnë mësues siç është dhe Filologjiku si prioritet kombëtar ka përmirësuar cilësinë e pranimeve në këtë fakultet.

“Sipas këtij vendimi, në degët e shpallura prioritet kombëtar siç është mësuesia, qeveria ofron mbështetje financiare për maturantë ekselentë që kanë përfunduar shkollën e mesme me mesatare 10, maturantët që kanë dalë në provimet e Maturës Shtetërore me mesatare 9.5-10, maturantët që pranohen në programe studimi të lidhura me çmimet që kanë marrë në olimpiada që përkojnë me degët e zgjedhura. Ndaj ju them se studentët tanë të rinj këtë vit janë të një cilësie shumë të lartë”, thotë profesor Shezai Rrokaj.

Rrokaj tha se fakulteti i Histori-Filologjisë ka ngritur komisionet e vlerësimit paraprak të aplikimeve ku sot ka shpallur rezultatet paraprake të cilat janë dërguar në institucionet përkatëse dhe do të shpallen më pas online.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë