Nga Gazeta Si –Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) ka shpallur gjashtë fituesit e këtij viti të “Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”, duke bërë të mundur që disa nga autorët më përfaqësues të letrave shqipe të lexohen në greqisht, serbisht, gjermanisht, arabisht e më tej.
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, theksoi rëndësinë e kësaj nisme, që ka për synim promovimin e autorëve shqiptarë në tregje ndërkombëtare.
“Nga viti në vit, interesi për këtë fond rritet. Jo vetëm që kemi më shumë aplikime, por edhe një zgjerim të hartës së botuesve të huaj që kërkojnë të sjellin letërsinë tonë në gjuhët e vendeve të tyre. Objektivi ynë është që në këtë hartë të hyjnë gjithnjë e më shumë edhe gjuhë me impakt të madh kulturor si anglishtja.” -tha Bardhyli në fjalën e hapjes.
Këtë vit, 11 shtëpi botuese nga vende të ndryshme iu përgjigjën thirrjes së QKLL-së, duke propozuar për përkthim vepra të autorëve shqiptarë në gjuhët: italisht, serbisht, spanjisht, greqisht, maqedonisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe arabisht. Midis aplikantëve ishin botues si Alaan Publishers and Distributors, Salento Book, Eurasia 1618 LP, Rilindja International, La Tortuga Búlgara, Prozart Media, Ramsay Éditions, Clio d.o.o, Vakxikon Publications etj.

Në mesin e autorëve të përzgjedhur për përkthim u gjetën emra të njohur si Ylljet Aliçka, Besnik Mustafaj, Virgjil Muçi, Migjeni, Petro Marko, Haki Stërmilli, Ardian Vehbiu, Diana Çuli, Stefan Çapaliku, Bashkim Hoxha, Preç Zogaj e të tjerë.
Juria e kryesuar nga Maklena Nika me anëtarë Ben Andonin dhe Erion Kriston, theksoi se veprat e zgjedhura për përkthim janë vlerësuar jo vetëm për nivelin letrar, por edhe për cilësinë e përkthimit dhe potencialin që kanë për të komunikuar me lexues të kulturave të ndryshme.
Romani “Piramida e shpirtrave” i Virgjil Muçit u vlerësua për saktësinë dhe rrjedhshmërinë e përkthimit në serbisht, që sipas jurisë e bën thuajse të padallueshme nga një tekst i shkruar origjinalisht në atë gjuhë.
“Kronikat e mjegullës” e Bashkim Hoxhës solli në gjermanisht një botë simbolike sfiduese, e ruajtur me kujdes në përkthim.
“Engjëj të armatosur” i Diana Çulit u përshkrua si një roman me peshë filozofike dhe strukturë të pasur stilistike, i sjellë mjeshtërisht në greqisht.

Poezitë e Preç Zogajt përfaqësojnë një urë të re kulturore me lexuesin grek, duke sjellë në greqisht vargje që mbartin identitetin dhe ndjeshmërinë shqiptare. “Sende që nxirrte deti” i Ardian Vehbiut përçoi në gjuhën greke një kujtesë të thellë personale dhe kulturore, duke ofruar një reflektim mbi përvojën shqiptare përmes një zëri intelektual të fuqishëm.
Libri “Midis krimeve dhe mirazheve” i Besnik Mustafajt, i përkthyer në arabisht, u vlerësua si një hap domethënës drejt afrimit të kulturës shqiptare me lexuesin arab, përmes një autori që di të ndërthurë realitetin me metaforën dhe kritikën me reflektimin.

Nëpërmjet këtij fondi, letërsia shqipe jo vetëm që përkthehet, por edhe përkthehet mirë me profesionalizëm dhe përkushtim, në mënyrë që zëri i saj të dëgjohet qartë në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur kulturore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.