Libra

Shpallen fituesit e ‘Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë’

Nga Gazeta “SI”– Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë këtë të Premte çmimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë 2025. Ky fond mbështet çdo vit tre autorë të letërsisë për fëmijë, duke u krijuar atyre mundësinë që të botojnë dorëshkrimet e tyre dhe të jenë më pranë lexuesve të vegjël.

Juria e përbërë nga studiuesi dhe kritiku letrar Dr. Albert Gjoka (kryetar), si dhe Irena Prici dhe Flori Kasaj, shqyrtoi 19 dorëshkrime të paraqitura nga autorë të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora. Pas një procesi vlerësimi që kishte në fokus cilësinë artistike, origjinalitetin, ndikimin edukativ dhe potencialin për të komunikuar me fëmijët e moshave të ndryshme, u përzgjodhën tre vepra fituese:

“Enigma e Kësulës së Kuqe”, e shkruar nga Ermir Nika, i cili u vlerësua për mënyrën se si dekonstrukton me finesë një nga përrallat më të njohura të letërsisë botërore për fëmijë. Në motivacionin e jurisë theksohet “një lojë intertekstuale postmoderne e përrallës së Kësulkuqes që vjen e ripërpunuar natyrshëm dhe që nxit më tej kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël përmes një rrëfimi të zhdërvjellët dhe domethënës”.

“Iliri dhe Lepurushi zbulojnë kopshtin zoologjik magjik”, nga autorja Flogerta Krypi, është një përrallë që ndërthur elementët fantastikë me botën reale të kafshëve dhe marrëdhënien e tyre me fëmijët. Juria vlerësoi “sendërtimin e një përralle edukative që kultivon raporte të gjalla mes fëmijëve dhe botës së kafshëve, për vlerat didaktike në formësimin psikologjik dhe emocional të fëmijëve, që vijnë natyrshëm përmes të gjithë elementeve që përmban libri”.

“Dhjetë pyetjet e Ardenit që pritnin përgjigje”, me autore Raimonda Belli Gjençaj, u përzgjodh për forcën tematike dhe mënyrën se si ngre pyetje që i flasin botës së fëmijëve sot, një botë që shpesh ngarkohet me emocione, dyshime dhe kërkesa për kuptim. Motivacioni i jurisë vë në dukje “gjetjen tematike që provokon botën e fëmijëve sot, një regjistër të hollë humori në rrëfim dhe jetësimin e vlerave të librit dhe dijes njerëzore tek fëmijët”.

Ky fond synon të inkurajojë krijimtarinë për fëmijë duke mbështetur çdo vit tre autorë të letërsisë për fëmijë dhe duke u krijuar atyre mundësinë që të botojnë dorëshkrimet e tyre dhe të jenë më pranë lexuesve të vegjël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë