Libra

Shpallen fituesit e çmimeve letrare mbarëkombëtare ‘At’ Gjergj Fishta’

Nga Gazeta “SI”- Në një ceremoni të mbajtur në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, u shpallën çmimet fituese të Konkursit Letrar Mbarëkombëtar “At’ Gjergj Fishta”.

Juria, e përbërë nga poeti Rudolf Marku, poetja dhe pedagogia Erenestina Gjergji si dhe gazetari dhe politikani Bajram Kosumi, përzgjodhi më të mirët për secilën kategori konkurruese.

Çmimi për prozën më të mirë të vitit iu dha autorit Ermal Hasimja për romanin “E shkuar e pakryer”, botuar nga “Albas”.  Vepra e Hasimjes u vlerësua për:

“Arritje të larta artistike, tematike, motivore dhe ligjërimore në romanin shqiptar. Autori arrin të bashkojë tema universale, siç janë diktatura dhe robëria; tema nacionale, si ndarja e familjes shqiptare në dy pjesë , në Tiranë dhe në Gjakovë , për shkak të mbylljes së kufirit për afro dyzet vjet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë; dhe tema personale, si përballja e individit me dhunën politike, shtetërore, nacionale dhe me varfërinë ekonomike. Duke depërtuar në psikologjinë e personazheve, autori dërgon mesazhe për mënyrën se si mund ta trajtojmë të kaluarën tonë të dhimbshme dhe se si një shoqëri nuk mund të jetë e shëndoshë sot nëse e fsheh të kaluarën e djeshme. Ndryshe, sillemi në një rreth vicioz të krimit dhe të amnezisë kolektive.”

Çmimi për vëllimin më të mirë poetik iu dha poetit Lulzim Tafa për vëllimin poetik “Ekspozitë me ëndrra”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, me motivacionin:

“Për krijimin e një poezie, që ecën në gjurmët më të mira të poezisë moderne Shqipe, duke bërë së bashku copëzat e Historisë me Gjuhën konçize dhe emocionale të Poezisë, identitetin vetjak me atë historik, përmes një koherence të qëndrueshme autentike të krijimtarisë”

Ndërkohë çmimi për përkthimin më të mirë shkoi për përkthyesen Milena Selimi, me romanin “Kohëstrehim” të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, botuar nga “Toena”. Juria e vlerësoi Selimin me motivacionin: “Për ruajtjen e vlerave filozofike, estetike dhe stilistike si ekuivalencë narrative në gjuhën pritëse shqipe prej gjuhës burimore bullgare, si kontribut në pasurimin e vlerave shpirtërore, të trashëgimisë dhe të ndërveprimit kulturor mes popujve.

Ky edicioni i Çmimeve “At’ Gjergj Fishta” konfirmon vazhdimin e kësaj tradite cila prej pese vitesh përzgjedh tre vepra në krijimtarinë letrare si më të mirat në hapësirën mbarëkombëtare shqiptare në kuadrin e një viti kalendarik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë