Ekonomi

Shoqata e Prodhuesve të Bukës kërkon masa urgjente: Po zhduket zanati. S’ka më bukëpjekës!

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një kohë kur mungesa e fuqisë punëtore është bërë pengesë për zhvillimin e shumë sektorëve në vend, tashmë ka prekur dhe furrat e bukës.

Në një reagim për mediat, Gëzim Peshkëpia, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pasticerisë dhe Brumrave, i shqetësuar, e konsideron zanatin e bukëpjekësit në zhdukje, për shkak të vështirësive në gjetjen e specialistëve.

“Prej kohësh prodhuesit e bukës janë të shqetësuar për mungesën e fuqisë punëtore, por kohët e fundit kjo është rikthyer në një situatë alarmante, pasi jemi vendi i vetëm në Europë me bukë artizanale. Nuk ka specialist bukëbërës. Në shkollat profesionale, që më parë kishin kontigjente të plota për grupin Bukë-Pastiçeri, tani pothuajse nuk ka fare. Po kështu nuk ka pothuajse asnjë interesim për të punuar në furrat e bukës, për të mësuar zanatin”, shprehet Peshkëpia.

Shoqata i ka dërguar një kërkesë institucionale Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Qeverisë, duke kërkuar vëmendje maksimale për këtë problem, me fokus te subvencionimi dhe masa të tjera mbështetëse.

“Ne kërkojmë trajtimin e bukëbërësit si zanat në zhdukje. Duam masa konkrete për të tërhequr kontigjente të rinj të interesuar për këtë zanat, duke siguruar bursa studimi, mundësi akomodimi si dhe lehtësira të tjera. Po ashtu, kërkojmë të subvencionohet kjo kategori, me pagesë specifike për të lehtësuar pagat e larta që kërkohen në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore”, shtoi kreu i shoqatës.

Ai theksoi se ardhja e punonjësve të huaj në këtë sektor nuk do të zgjidhë problemin: nuk do të jetë një zgjidhje afatgjatë dhe nuk do të mund të ruajë traditën dhe specialitetin e bukës artizanale shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë