Libra

Shoqata e Botuesve Shqiptarë: Lista e librave për bibliotekat e Ministrisë së Arsimit një zhgënjim i madh, bordi anonim

Lista e librave për t’u shpërndarë në bibliotekat e shkollave e ka vënë Ministrinë e Arsimit në qendër të akuzave të botuesve të ndryshëm.

Një reagim i fundit ka ardhur edhe nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila përmes një deklarate shprehet se lista e Ministrisë së Arsimit është një zhgënjim.

SHBSH thotë se lista që u publikua, më pas u hoq nga faqja.

“Lista e MAS, gusht 2023, një zhgënjim i madh... U publikua më 22 gusht në faqen e Ministrisë së Arsimit ‘Lista e titujve rekomandues për bibliotekat e institucioneve të arsimit parauniversitar, 2023’. Të nesërmen, lista u hoq nga faqja. Reagimet negative ndaj saj janë të shumta, në radhë të parë nga botuesit”, thuhet në deklaratë.

LEXO EDHE:
Drejtori i Institutit të Historisë: Ministria e Arsimit çon në biblioteka botime amatorësh, refuzon librat e Albanologjisë. Reagon MAS

Sipas botuesve pas një pauze 9-vjeçare, në vitin 2022 Ministria e Arsimit rifilloi procesin e pasurimit të bibliotekave shkollore. Fondi ishte 20 milionë lekë, por SHBSH shprehet se nuk u shpenzua plotësisht.

“Shoqata e Botuesve Shqiptarë e kontestoi ashpërsisht të gjithë procesin e vitit 2022, duke filluar nga lista e hartuar dhe deri te përzgjedhja e dukshme klienteliste, që kalonte nga drejtoritë arsimore. Sa për ilustrim, 3-4 shtëpi botuese përfituan pothuajse 70 për qind të fondit total në një kohë kur nuk japin ata 70 për qind të produktit botues dhe kryesorja, nuk kanë titujt më të zgjedhur. Problemi themelor ishte cilësia e dobët e titujve të listës. Përfituesit kryesorë: botuesit e teksteve shkollore”, thuhet nga SHBSH.

Në fillim të vitit 2023, Ministria e Arsimit, organizoi dy takime, në të cilat ishte edhe ministrja e Arsimit, me qëllimin për ta përmirësuar procesin për vitin 2023 dhe më tej. Shoqata e Botuesve Shqiptarë bën me dije se ripërsëriti qëndrimet dhe vërejtjet e bëra publike dhe pas diskutimeve konstruktive, u duk se u gjet mirëkuptimi për një proces të ri, ku ata paraqitën edhe propozimet e tyre. Më datë 12 mars 2023, SHBSH shprehet se MAS nëpërmjet një letre zyrtare kërkoi të propozonim një listë të librave.

“Pas një pune katërjavore shumë të kujdesshme, dorëzuam një listë, shoqëruar edhe me një relacion shpjegues”, shprehet SHBSH.

Ndër të tjera në deklaratë SHBSH bën me dije se patën parasysh përzgjedhjen e autorëve dhe titujve më të mirë; përkthyesit më të mirë; profesionalizmin dhe kualifikimin e shtëpive botuese, gjendjen e bibliotekave dhe përputhshmërinë, për aq sa mundej, me kurrikulat.

“Cilat ishin disa nga kriteret e punës sonë? Sigurisht patëm parasysh përzgjedhjen e autorëve dhe titujve më të mirë; përkthyesit më të mirë; profesionalizmin dhe kualifikimin e shtëpive botuese, gjendjen e bibliotekave dhe përputhshmërinë, për aq sa mundej, me kurrikulat. Duke njohur defektet dhe teprimet e listës së tetorit 2021, vumë edhe disa kritere: seritë e librave për fëmijë të kishin 10 tituj maksimumi; nga një autor jo më shumë se 10 tituj librash (përjashtim bënte vetëm Ismail Kadare)”, thuhet në reagimin e SHBSH.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë shprehet se në listën e gushtit 2023 u vunë re dhe botime që nuk ekzistojnë, si dhe vepra të mira shqiptare që mungojnë.

“Çfarë vëmë re në listën e gushtit 2023? Tituj të vjetër që nuk ekzistojnë të mbartura nga një listë te tjetra (dhe që vetë botuesit nuk i propozojnë më); botime të shtëpive botuese që nuk ekzistojnë; tituj librash në anglisht nga botues të huaj; seri librash për fëmijë me 20-30 tituj, vepra të mira të letërsisë shqipe që mungojnë. Ka shtëpi botuese që në këtë mënyrë kanë edhe më shumë se 60, 70 apo 90 tituj librash nga sa përmenden në listë”, thuhet në deklaratë.

Botuesit që janë të grumbulluar në këtë shoqatë shprehen më tej se  pasurimi i bibliotekës nuk është çështje tarafesh, as sajdisjeje botuesish apo autorësh. Sipas tyre përzgjedhja duhet kryer në bazë të cilësisë së titullit/autorit/përkthyesit edhe botuesit, mungesës në biblioteka, përditësimit të tyre, përputhshmërisë me kurrikulat dhe tekefundit, kultivimit dhe promovimit të letërsisë së mirë për nxënësin dhe mësuesin.

“Gjithçka lë shumë për të dëshiruar. Në listë mungojnë shumë autorë e tituj të rëndësishëm. Pse nuk u morën parasysh sugjerimet e shoqatës? Kryetari bordit në ministri i ka marrë ato qysh më 15 prill”, thuhet në deklaratë.

Botuesit që kundërshtojnë procesin që ka ndjekur MAS, shprehen se bordi që bëri listën e publikuar është anonim.

“Nuk dimë çfarë të themi për të: ka mungesë informacioni, padituri, mosnjohje e situatës së botimeve, keqdashje, çoroditje apo punë tarafesh? Nuk mund të hedhim hamendësime apo paragjykime me të panjohurat, por rezultatin e shohim. Ajo që prisnim dhe për të cilën diskutuam e punuam, nuk ndodhi. U përsërit e njëjta shfaqje. Çfarë do të ndodhë më tej? Nuk kemi asnjë reagim nga ministria”, shprehen botuesit.

Deklarata e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë vjen në vijim të reagimeve të shumta me të cilat është përballur këto ditë Ministria e Arsimit, ndërsa ata shtrojnë dhe pyetjen se a duhet të vazhdojnë të bëhen pjesë e procesit apo ta refuzojnë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë