Pasurimi i bibliotekave shkollore, sipas botuesve është me dobësi të përsëritura.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë shprehet se këto dobësi u konstatuan në procesin gjatë vitit të kaluar.
SHBSH përmes një reagimi thotë se shpreson që Ministria e Arsimit të luftojë më shumë për buxhetin e vitit që vjen, pasi gjendja e bibliotekave shkollore mbetet e dobët. Botuesit që janë pjesë e SHBSH shprehen se jemi në përfundim të procesit të pasurimit të bibliotekave me libra këtë vit, që ka mbaruar në tre Drejtori të Arsimit Rajonal.
“Pasurimi i bibliotekave shkollore nga MAS. Një përpjekje, por me disa dobësi të përsëritura. Në procesin e pasurimit të bibliotekave shkollore gjatë vitit 2022 (20 milionë lekë) u konstatuan shumë dobësi, të cilat shoqata i bëri publike. U duk se pati një përpjekje nga MAS për ta përmirësuar procesin, por plot të meta dhe me shumë vështirësi në komunikim. Është premtuar për një fond 25 milionë lekë për vitin 2023, që ne botuesit shpresojmë shumë të realizohet. Tani jemi pothuajse në përfundim të procesit të pasurimit për këtë vit. Duket se ka mbaruar në tre nga DAR-et: Fier, Korçë dhe Lezhë. Pritet edhe Durrësi”, shprehen botuesit në deklaratën e tyre.
Për këtë proces të pasurimit me libra të bibliotekave, SHBSH shprehet se me keqardhje vëren mungesa në përcaktimin e rregullave dhe të afateve të shpallura në kohë dhe i transparencës, që do e ndihmonte këtë proces, në radhë të parë për shkollën.
“I gjithë procesi është konfuz dhe i nxituar për shkak të vonesave. Gjëra që nuk janë bërë për javë e muaj nga administratat me një tufë punonjësish, u kërkohen shtëpive botuese të bëhen për pak ditë. 17 dokumente dhe vërtetime e noterizime e deklarime. Shumë gjëra që mund të shmangen”, thuhet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
Ministria e Arsimit të bashkëpunojë me Shoqatën e Botuesve
Për procesin që po vijon këtë vit, Shoqata e Botuesve Shqiptarë shprehet se sikundër edhe në vitin 2022, përsëri ka një preferencë të dukshme për shtëpitë botuese të teksteve shkollore.
“Sa për ilustrim, deri tani: DAR Korçë u jep 5 botuesve shkollorë, 55.7 përqind të fondit total. DAR Fier 44.3 përqind, DAR Lezhë 48.6 përqind. Të presim e të shohim DAR Durrës. Nuk duam të gjejmë arsyet, por është e sigurt që kolegët që nuk merren me botime shkollore, kanë libra dhe tituj shumë të mirë e të përshtatshëm për nxënësit. Në pasurimin e vitit 2022, gjithsesi, këto shifra kanë qenë edhe më favorizuese për botuesit shkollorë”, thuhet nga SHBSH.
Përballë asaj që po ndodh me procesin e pasurimit të bibliotekave me libra, SHBSH kërkon nga institucionet përgjegjëse që ta analizojnë këtë situatë. SHBSH shprehet se vërejtja nuk është për kolegët e botimeve shkollore.
“Mendojmë se MAS, dhe posaçërisht Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MAS, duhet ta analizojë këtë situatë dhe ta kthejë në favor e në dobi të interesave të nxënësve, jo të botuesve. Themi, me shumë siguri, që në këtë mënyrë, bibliotekat shkollore nuk po pasurohen me shumë tituj e autorë nga më të mirët. Mendojmë se duhen vendosur ura komunikimi e bashkëpunimi mes MAS dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në mënyrë që shkolla, nxënësit e mësuesit, të marrim më shumë dhe më cilësisht. Shpresojmë shumë që MAS të punojë e të luftojë që në buxhetin e vitit 2024, të ketë të paktën 50 milionë lekë, sepse gjendja e bibliotekave shkollore mbetet shumë e dobët”, shprehen botuesit.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë e themeluar në vitin 1992 edhe më parë ka reaguar për problemin me pasurimin e bibliotekave me libra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.