Përpara nisjes së Kuvendit shpërthejnë lëvizjet brenda grupit të demokratëve.
Grupimi “Alibeaj” që de jure njihen me emrin e Partisë Demokratike në Parlament ka përjashtuar katër deputetët që njihen si mbështetësit e Sali Berishës.
Bëhet fjalë për Belind Këlliçin, Tritan Shehun, Agron Shehajn dhe Oerd Bylykbashin. Lajmi për përjashtimin e tyre është bërë nga një njoftim zyrtar i PD-së, pasi argumentohet se ato nuk janë distancuar nga aktet e tyre.
“Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjeçar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar”, thuhet në njoftimin e shpërndarë.
Më tej bëhet e ditur se “Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023”.
Lëvizja e Alibeajt vjen pikërisht në momentin kur ndaj tij është shpallur nisma për ta shkarkuar atë si kryetar i grupit parlamentar të PD-së.
Vetë deputeti Ervin Salianji ka bërë publike lëvizjen më të fundit duke deklaruar se ka biseduar me deputetët edhe mbi marrjen e firmave të tyre për të vendosur atë në drejtimin e grupit parlamentar demokrat. Katër deputetët Këlliçi, Bylykbashi, Shehu dhe Shehaj ishin pezulluar nga grupi deri në ndryshimin e qëndrimit të tyre. Kjo me vendim të marrë në kohën kur PD-ja drejtohet nga Lulzim Basha dhe pas trazirave të ndodhura në selinë e PD-së nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.