Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë brigjeve të Karaburunit, në jug të vendit.
Anija turistike “Aqua Marine”, në të cilën ndodheshin pesë anëtarë të ekuipazhit, është përfshirë nga flakët e mëdha mëngjesin e sotëm, duke u shkrumbuar e tëra.
Falë ndihmës së dhënë nga Policia Kufitare pesë anëtarët e ekuipazhit kanë arritur të shpëtojnë, të cilëve iu rrezikua jeta si pasojë e zjarrit të rënë në mjetin lundrues në të cilin ndodheshin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, pranë plazhit të Shën Vasilit, ndërsa raportohet se anija bënte çdo ditë linjën shëtitëse Karaburun-Ishulli Sazanit.
Siç njofton policia, mjeti lundrues “Aqua Marine”, duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje.
Si pasojë e flakëve, mjeti lundrues është djegur pothuajse plotësisht.
Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




