Njerez

Shkrimtarja shqiptare e nominuar për ‘Booker Prize’/ Ledia Xhoga: Në romanin tim nuk ekziston emigranti klishe

Nga Gazeta “SI”- Ardhja e një shkrimtareje si Ledia Xhoga në Tiranë duhej të ishte, në fakt, një ngjarje letrare. Vetë fakti që romani i saj “Keqkuptimi” (Misinterpretation) ishte pjesë e long-listës së çmimit prestigjioz Booker Prize në Angli, përbën një arritje të rëndësishme për çdo shkrimtar bashkëkohor. Megjithatë, në sallën ku do të mbahej prezantimi ishin, a nuk ishin, 30 vetë, kryesisht njerëz të medias dhe kuriozë të letërsisë.

Ledia Xhoga është një shkrimtare e re që prej shumë vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara. Ajo shkruan romane, por edhe drama. Përvoja e saj fillestare si redaktore dhe më pas si përkthyese në zyrën e emigracionit, e shtyu drejt krijimit të një romani ku jeta e shumë emigrantëve ndërthuret në një subjekt të vetëm, duke shpalosur komplekset që mbart jeta në një qytet të madh amerika, një qytet me vend për shumë kultura, të cilat, megjithatë, shpesh mbeten të mbyllura në rrethet e tyre.

Për Gazetasi.al, Xhoga tregon procesin e krijimit të romanit të saj më të fundit, “Keqkuptimi”, si dhe rrugëtimin e saj para se të hynte në botën e letërsisë.

“Unë punoja si redaktore dhe, me atë punë që kisha, ishte shumë e vështirë të shkruaje. Por merrja pjesë nëpër mbrëmje letrare, lexime, dhe isha gjithmonë pranë kësaj bote. Në një moment mora një hap të madh: lashë punën dhe u regjistrova në disa programe master që janë vetëm për shkrimin. Për tre vjet përqendrohesh vetëm te shkrimi; lexon dhe shkruan shumë dhe në fund duhet ta mbrosh diplomën ose me një vëllim me tregime, ose me një roman.

Një nga pedagogët më tha ta rishikoja romanin dhe, pas pak kohe, t’ia dërgoja ndonjë agjenti. Por isha e zhgënjyer; as libri që kisha shkruar nuk më pëlqente më, mendoja se nuk ishte gati. Ishte edhe fakti që kisha lënë punën dhe të ardhurat për t’u marrë me shkrimin. Më vonë një miku im shkrimtar më bindi që librat nuk janë kurrë plotësisht gati. Dhe kështu e pranova edhe unë këtë pjesë,” – thotë Xhoga.

Fillimisht, teatri ka qenë pasioni i saj më i madh, edhe pse në New York, sipas saj, është shumë e vështirë të sigurosh të ardhura nëpërmjet tij.

“Pasi mbarova masterin, u mora kryesisht me teatrin, duke iu larguar romanit. Por kur u ktheva në New York më vonë, nisa të shkruaj romanin që sot kemi në duar. Unë shkruaj edhe teatër, por në New York është e vështirë dhe shumë e kushtueshme ta vësh një shfaqje në skenë. Kam dorëzuar disa herë skenare, por është jashtëzakonisht e komplikuar të realizosh një produksion teatror.”

Ledia Xhoga në Tiranë

E pyetur nëse romani lidhet me jetën e saj personale, Ledia Xhoga shprehet se vepra nuk është autobiografike, megjithëse ka fragmente të frymëzuara nga njerëz dhe ngjarje reale.

“Romani nuk është autobiografi. Problemet që ka personazhi im nuk i kam pasur kurrë. Qëllimi i çdo autori është që lexuesi të besojë atë që ai shkruan. Është mjaft e sikletshme kur ty vetë nuk të bind ajo që ke shkruar. Edhe skena ku personazhi ndiqet nga një i huaj emigrant vjen mbase e vërtetë, me gjithë ngarkesën e ankthit që mbart një fenomen i tillë. Dikur ndiqeshim nga burrat e mëdhenj, në Shqipërinë e viteve ’90, dhe si refleks ndoshta kjo gjë ka mbetur. Ndaj edhe në roman, ky proces del kaq i vërtetë.”

Më tej shton: “Në romanin tim nuk ekziston emigranti klishe. Ndoshta sepse unë në New York kam shumë miq që vijnë nga shtete dhe kultura të ndryshme, por unë i shoh gjithmonë për atë që bëjnë, jo për prejardhjen e tyre. Fokusi është te humaniteti.”

Sa i përket ndikimit që pati publikimi i listës së gjatë të Booker Prize, ku u përfshi edhe romani i saj, Xhoga tregon se kjo i ka ndryshuar ritmin e përditshmërisë.

“Kam pasur shumë kërkesa për intervista dhe takime për librin. Në njëfarë mënyre ishte e çuditshme për mua, duke qenë një karakter introvert që preferoj qetësinë time. Por tani jam e detyruar, sigurisht, sepse lexuesit kërkojnë të bisedojnë dhe të dinë më shumë për mua. Edhe pse, në fakt, unë mendoj se autori, pasi ka mbaruar librin, nuk ka më ç’të shtojë,” – përfundon Ledia Xhoga.

Ledia përfaqëson brezin e ri të emigrantëve që kanë më shumë mundësi dhe një integrim më të natyrshëm në jetën kozmopolite të New York-ut. Fakti që letërsia e saj është tashmë e njohur jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, na bën krenarë.

Jo thjesht sepse ajo mund të konsiderohet shqiptare, por sepse, megjithë universialitetin e letërsisë së saj dhe faktin që shkruan në anglisht, rrënjët i ka këtu. Dhe kjo mjafton për të na dhënë kënaqësinë e një përfaqësimi dinjitoz në letërsinë e sotme botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë