Nga Gazeta “SI”- Shoqata e Botuesve Gjermanë ka shpallur listën e gjatë të veprave që konkurrojnë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë gjermanofolëse. Mes 20 autorëve të përzgjedhur është edhe shkrimtarja me origjinë nga Kosova, Jehona Kicaj, me romanin e saj “ë”.
E lindur më 1991 në Kosovë dhe e rritur në Göttingen, Kicaj ka studiuar Letërsi Gjermane Moderne në Hannover. Përvoja e saj si fëmijë i refugjatëve nga Kosova e ka ndikuar thellësisht në krijimtarinë letrare.
Autorja duke shpjeguar brendinë e romanit thekson se titulli i romanit, “ë”, vjen nga shkronja e tetë e alfabetit shqip dhe më e përdorura në gjuhën shqipe.
“ Veçantia e saj është se, kur ndodhet në fund të fjalës, nuk shqiptohet, por megjithatë ndryshon theksin. Pikërisht për këtë arsye është zgjedhur si metaforë e heshtjes , një nga pasojat më të dhimbshme të luftës së Kosovës

Në shumë familje shqiptare viktimat përmenden pak, sepse dhimbja është e madhe. Edhe në Gjermani, shpesh është harruar se në vitin 1999 ky shtet mori pjesë për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në një ndërhyrje ushtarake, atë të NATO-s në Kosovë- thotë Kicaj për mediat.
Romani sjell rrëfimin e një vajze të re që përjeton luftën nga diaspora gjermane. Ajo mëson hap pas hapi përmasat e tragjedisë , masakrat, dhunimet, torturat, zhdukjet masive dhe njëkohësisht përjeton diskriminim në shoqërinë gjermane, ku shpesh has në heshtje dhe mosdije.
Jehona Kicaj thekson se libri nuk është historia e saj personale, por historia e shumë shqiptarëve. Ajo është bazuar në biseda, dëshmi, libra, artikuj, intervista dhe ditarë për të shndërruar kujtimet e luftës në letërsi.
“E kam shkruar këtë roman për të kujtuar vuajtjen e pamasë të një populli të tërë me bindjen se vetëm kush e njeh të kaluarën, mund ta kuptojë të tashmen dhe ta ndërtojë të ardhmen”, thotë ajo.

Përveç Kicajt, në listë janë edhe emra të njohur si Gesa Olkusz (Bremerhaven), Peter Waëerzinek (Rostock) dhe Feridun Zaimoglu (Kiel). Çmimi, i cili shoqërohet me shpërblim prej 25 mijë eurosh, do të dorëzohet më 13 tetor në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt. Juria ka përzgjedhur 20 romane nga 200 dorëshkrime të dorëzuara nga shtëpitë botuese, ndërsa më 16 shtator do të shpallet lista e shkurtër me vetëm gjashtë autorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



