Libra

Shkrimtari si shënjestër e pushtetit

Nga Gazeta “SI” – 3 Marsi celebrohet si “Dita botërore e shkrimtarëve”  e  caktuar nga “Pen International” në vitin 1986 si një bashkëpunim dhe mbështetje ndaj shkrimtarëve anënkënd botës pavarësisht rracës, gjinisë apo gjuhës.

Letërsia është vokacion i cili lindi shekuj më parë.  Dëshira për të dëshmuar dhe rrëfyer ngjarje apo për të qënë kronikan i një kohe të rëndësishme, i shtyu shkrimtarët të shkruanin. Që nga Homeri i cili njihet si babai i letërsisë botërore e deri në ditët e sotme ku aktualisht gjendemi në post post-modernizëm, letërsia ka pasur vetëm një funksion, manipulimin e realitetit.

Të ndryshosh realitetin për ta shndërruar në fiction mbetet një përcaktim i gjymtuar. Realiteti është lëndë e parë e letërsisë por ndryshimi i tij do të thotë ti referohesh thelbësisht atij duke ndryshuar disa detaje dhe duke e prezantuar si fiction. Në këtë mënyrë librat fantastiko-shkencor dhe ato distopikë do të ishin jashtë kësaj kategorie.

Shkrimtari mbetet manipulatori i parë i një realiteti i cili ndryshon nga vendi në vend, nga shteti në shtet apo nga kontinenti në kontinent. Sigurisht përqasja e tij është fantazia dhe roli krijues duke shkëmbyer kode me një linjë jete apo historie, por ndryshe nga realiteti, librat nuk tentojnë të na japin mesazhe dhe as të ndërtojnë një manual moral të jetesës së qetë. Përkundrazi ato na mësojnë sesi të jetojmë dhe kur morali nuk ekziston apo thjesht qëllimi për të qënë korrekt në jetë, nuk është primar.

Homeri

Në ditët e sotme letërsia është shndërruar kryesisht në argëtim. Koha e ngjeshur e një njeriu të ditëve të sotme ( shpesh me ngjarje dhe veprime të pavlerta) nuk i lejon atij të gjejë kohën e mbi të gjitha përqëndrimin e leximit dhe shijimit të një libri të mirë. Kjo e ka shndërruar dhe leximin në një akt sakrifice gjithaq dhe të panevojshëm, duke i zhytur shpesh dhe shkrimtarët në dilema ekzistenciale mbi procesin e shkrimit. A ia vlen të shkruhen më libra?

Rëndësia” e shkrimtarëve në diktaturë

Por jo gjithmonë shkrimtari dhe letërsia kanë qënë të lirë . Rasti i Pasternakut në Rusinë e Stalinit , apo edhe i poetit Mandelshtam i cili vdiq në kampet e Kulagvë janë shembujt më tragjik sesi letërsia ishte një kundërshtar i fortë i diktaturës.  

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Boris Pasternak shkruan romanin e tij të vetëm “Doktor Zhivago”. “Lidhja e Shkrimtarëve Rusë” refuzon botimin e këtij libri i konsideruar autobiografik e me tone negative ndaj Revolucionit të Tetorit. Kjo vepër, kopjet e së cilës u sekuestruan nga qeveria komuniste ruse, u bë shkaku i një persekutimi intelektual të shkrimtarit nga ana e regjimit politik vendas.

Por dorëshkrimi origjinal i “Doktor Zhivagos” shpëton nga sekuestrimi, kapërcen kufijtë rus dhe përfundon në redaksinë e shtëpisë botuese italiane “Feltrinelli” e cila realizoi më vitin 1957 botimin e parë të këtij libri. Janë vitet e krizës së Luftës së Ftohtë e ky libër u bë dëshmia e vetme e realitetit rus i cili  u përkthye në disa gjuhë e u  përhap në të gjithë botën. Nën optikën e Zhivagos e të Pasternak, dënohej idealizmi bolshevik, burim vuajtjeje e dhimbjeje për popullin sovjetik.

Boris Pasternak

Në vitin 1958 pas hyrjes në lojë të CIA-s , romani i Pasternak botohet në gjuhën ruse dhe po atë vit fiton çmimin Nobel.  Letra e Psasternakut drejtuar komisionit të Nobelit do të ishte e shkurtër dhe prekësë:  “Duke marrë në konsideratë kuptimin që i atribuohet këtij çmimi nga shoqëria ku kam lindur, refuzoj këtë çmim të pamerituar. Ju lutem mos e prisni me pakënaqësi refuzimin tim të vullnetshëm”. I detyruar nga KGB-ja ky refuzim ishte një fitore e Rusisë mbi perëndimin në kulmin e Luftës së ftohtë.

Edhe në Shqipërinë komuniste , u krijuan institucione të forta të centralizimit të shkrimtarëve. Në Shqipëri është shembulli i “Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve” , një strukturë e mirëorganizuar me funksione të veçanta dhe me shumë autoritet e cila përcaktonte së pari se kush meritonte të quhej shkrimtar ( sigurisht në rregullat strikte të partisë dhe ideologjisë së saj) dhe pastaj benefitet të cilat përfitonte një shkrimtar nën kupolën e partisë. Madje në komunizëm rëndësia e letërsisë nuk matej me sa benefitë përfitonte një shkrimtar po me sa i madh do të ishte dënimi për ata shkrimtarë disidentë të cilët me apo padashje, krijonin vargje të cilat binin ndesh me partinë.

Kështu si në çdo fushë të jetës edhe letërsia u nda në “letërsi të partisë” dhe “letërsi të armikut”, të parët të dendur me leje krijuese dhe pagesa të majme për kohën, ndërsa të dytët të burgosur ose më keq akoma të pushkatuar.

Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika dhe Havzi Nela janë  rastet tragjike të  shkrimtarëve shqiptarë të cilët u pushkatuan në Shqipërinë diktatoriale duke qënë në  sinkron me censurën e  tmerrshme e gjithashtu burgosjen e  dhjetëra poetëve dhe shkrimtarëve.

Proceset redaktoriale strikte dhe mekanizma të rrepta të censurës, përbënin thelbin e strukturës së “Lidhjes së shkrimtarëve” nëpërmjet së cilës regjimi dhe vetë diktatori Hoxha, deklasonin elementët e rrezikshëm të cilët nëpërmjet artit të tyre, kërkonin të indoktrinonin masën dhe ta “infektonin” atë.

Kështu në një farë mënyre shkrimtari në komunizëm ishte një qenie e rëndësisë së veçantë , e cila  matej dhe shprehej në dy kahë, me benefite dhe pagesa të majme nga njëra anë dhe me burgosje e vrasje nga ana tjetër, edhe këto tregues të fortë të rolit të letërsisë dhe shkrimtarit në jetën shoqërore dhe  politike.

Por edhe në kohët e sotme kur liria për shkruar është një ndër rregullat bazë të saj, pushteti herë pas here bie ndesh me letërsinë, kryesisht me shkrimtarin. Në sisteme politike të cilat çdo ditë e më shumë synojnë totalitarizmin si funksion të shtetit, shkrimtari vazhdon të mbetet një pengesë e cila krijon “dhimbje koke” të shpeshta.

Rasti i shkrimtari turk Orhan Pamuk dhe procesi i gjatë gjyqësor që ju përgatit atij pas një anatemimi publik nga Erdogani dhe mbështetësit e tij apo “Fatwa” e famshme e pushtetit Iranian ndaj shkrimtarit  Selman Ruzhdi, dhe pasojat të cilat çuan në plagosjen e tij me thikë në sy, gjatë një bashkëbisedimi me lexues në New Yourk, dëshmojnë se shkrimtari në çdo kohë mbetet një shënjestër e pushtetit, diktatorial apo “liberal” qoftë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë