Njerez

Shkrimtari Salman Rushdie del nga intubimi dhe është në gjendje të flasë

Nga Gazeta Si – Salman Rushdie ka dalë nga intubimi dhe ka mundur të flasë të shtunën, ka konfirmuar agjenti i tij.

Romancieri britanik me origjinë indiane mbetet i shtruar në spital me lëndime të rënda, por autori tjetër Aatish Taseer shkroi në Twitter të shtunën në mbrëmje se ai ishte “hequr nga oksigjeni dhe fliste (dhe bënte shaka)”. Agjenti i Rushdie, Andrew Wylie, konfirmoi këtë informacion pa ofruar detaje të mëtejshme.

Më herët të shtunën, Hadi Matar, njeriu i dyshuar për sulmin e së premtes në një festival letrar në veri të Nju Jorkut, u deklarua i pafajshëm për akuzat për tentativë vrasje dhe sulm në një paraqitje të shkurtër në gjykatë, ku atij iu mohua lirimi me kusht.

Ndërkohë, Joe Biden, presidenti i SHBA, vlerësoi Rushdie për “refuzimin e tij për t’u frikësuar ose heshtur” dhe tha se autori qëndronte për idealet thelbësore të së vërtetës, guximit dhe qëndrueshmërisë. “Këto janë blloqet ndërtuese të çdo shoqërie të lirë dhe të hapur. Dhe sot, ne riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj atyre vlerave thellësisht amerikane në solidaritet me Rushdie dhe të gjithë ata që mbrojnë lirinë e shprehjes”, tha presidenti në një deklaratë. Biden tha gjithashtu se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar kur mësoi për sulmin e egër”.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, e dënoi “me force” sulmin të shtunën mbrëma. “Refuzimi ndërkombëtar i veprimeve të tilla kriminale, të cilat shkelin të drejtat dhe liritë themelore, është e vetmja rrugë drejt një bote më të mirë dhe më paqësore”, shkroi Borrell në Tëitter.

Rushdie jetoi i fshehur dhe nën mbrojtjen e policisë për vite pasi lideri i ndjerë iranian Ayatollah Ruhollah Khomeini në vitin 1989 bëri hirrje për vrasjen e tij si ndëshkim për librin e Rushdie “Vargjet Satanike”. Shumë muslimanë e interpretuan librin e autorit si blasfemi, sepse ai përfshinte një personazh që ata e konsideruan fyes ndaj profetit Muhamed.

Rushdie, 75 vjeç, ishte në Institutin Chautauqua për të folur për rëndësinë e dhënies së azilit nga Amerika për shkrimtarët e mërguar kur u sulmua, dhe tha së fundmi se ai besonte se jeta e tij ishte “shumë normale përsëri”.

Të shtunën, prokurori i qarkut Jason Schmidt pretendoi se sulmi ishte i parashikuar.

“Ky ishte një sulm i synuar, i paraplanifikuar ndaj zotit Rushdie,” pretendoi Schmidt.

Mbrojtësi publik Nathaniel Barone u ankua se autoritetet kishin marrë shumë kohë për ta nxjerrë Matarin para një gjyqtari ndërsa e kishin lënë “të lidhur në një stol në kazermat e policisë së shtetit”. “Ai ka të drejtën kushtetuese të pafajësisë së prezumuar”, tha Barone.

Matar dyshohet se nxitoi në skenë dhe goditi me thikë Rushdie në mënyrë të përsëritur përpara se të sulmohej nga spektatorët, punonjësit e institucionit dhe dy oficerë vendas të zbatimit të ligjit që ofronin siguri.

Sulmi u prit me tronditje dhe zemërim nga pjesa më e madhe e botës. Pati homazhe dhe lavdërime për autorin fitues të çmimeve, i cili për më shumë se 30 vjet është përballur me kërcënime me vdekje për “Vargjet Satanike”.

Autorët, aktivistët dhe zyrtarët qeveritarë përmendën guximin e Rushdie dhe mbrojtjen e gjatë të fjalës së lirë, pavarësisht nga rreziqet për sigurinë e tij. Shkrimtari dhe miku i vjetër Ian McEwan e quajti Rushdie “një mbrojtës frymëzues i shkrimtarëve dhe gazetarëve të persekutuar në mbarë botën” dhe aktori-autori Kal Penn e përmendi atë si një model “për një brez të tërë artistësh, veçanërisht për shumë prej nesh në Azinë Jugore”.

Marrë nga The Guardian, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë