Bashkim Shehu, një nga autorët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, prezantoi romanin e tij më të ri: “Kryevepra të pakryera”. Romani i botuar nga Toena, u prezantua në një ceremoni në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Historia e një shkrimtari vjen përmes një narracioni shkëlqyes të një udhëtimi në botën e pafundme të artit, përmes një stili plot kulture”, thuhet në faqen online të QKLL për “Kryeveprat e pakryera”.
Eventi letrar u moderua nga Majlinda Toçi dhe për veprën e fundit të Bashkim Shehut, folën prof. Dhurata Shehri dhe poeti e botuesi Krenar Zejno.
Bashkim Shehu lindur më 1955 në Tiranë, është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Deri më 1981 punoi si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Prej vitit 1997 ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës.
Disa prej librave të shkrimtarit Bashkim Shehu janë botuar në gjuhë të ndryshme: Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit (roman); Rrëfim ndanë një varri të zbrazët (roman autobiografik); Vjeshta e ankthit (roman); Gostia (roman) dhe dy përmbledhje me tregime. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.