Nga Gazeta “SI”– Dan Brown, autori i librit “Kodi i Da Vinçit”, zbuloi gjatë një interviste se bashkëshortja e tij, Blythe, e ndihmonte në shkrimin e librave bestseller. Ky proces e bën Brown pjesë të një tradite letrare të njohur tashmë mes shkrimtarëve dhe grave të tyre.
Në procesin gjyqësor që po zhvillohej ndaj tij, për akuzat e kopjimit të “Kodit të Da Vinçit” nga një libër tjetër, del në pah një zbulim mbreslënës, se ajo që kishte shkruar pjesën më të madhe të librit, kishte qenë gruaja e tij, Blythe.
Ndërsa Dan shkruante kapituj një faqe e gjysmë të gjatë, Blythe lexonte libra referencash të ndërlikuar, shënonte pjesët kyçe dhe kërkonte në internet informacione që mund t’i hynin në punë të shoqit.
Shumë nga autorët më të vlerësuar në histori janë mbështetur te bashkëshortet ose, në mungesë të tyre, te gratë pranë tyre si motrat apo vajzat për t’i ndihmuar në krijimin e veprave të tyre. Nabokov, Dostojevski, Tolstoi, Kamy apo edhe Ismail Kadare janë vetëm disa prej tyre.

Natyrisht , jeta personale e një autori ndikon në krijimtarinë e tij, dhe ndonjëherë ndihma e bashkëshortes ka qenë thjesht krijimi i kushteve sa më të qeta për të shoqin që të punojë i pashqetësuar.
Përshkrimi që Brown i bën marrëdhënies së punës me bashkëshorten e tij të kujton një lloj tjetër marrëdhënieje letrare, që risjell imazhin e vjetër të burrit të zhurmshëm, të famshëm dhe egoist që merr meritat, ndërsa gruaja e tij rropatet në heshtje në katin e sipërm.
“Mendoj se kjo strukturë vjen nga modeli i vjetër i punës para-industriale,” thotë autorja Kathryn Hughes. “Burri ishte fytyra publike , bukëpjekësi, argjendari, farmacisti ndërsa gratë, motrat dhe vajzat bënin llogaritë, brumin dhe shërbenin klientët. Kështu puna e grave ka qenë gjithmonë thelbësore, por rrallë e pranuar si e veçuar nga ajo e burrit.”
Vladimir Nabokov është ndoshta shembulli më i ndritur i këtij modeli. Gruaja e tij, Vera, ishte daktilografja, redaktorja, agjentja, menaxherja e punëve, shoferja dhe, ajo që i gatuante ushqimin në çdo vakt.

Megjithatë, Vera nuk flinte në një shtrat me të. Në këtë aspekt, autori preferonte të ishte i vetëm.
Sigurisht, kur bëhet fjalë për të dhënë meritat aty ku duhen, ndonjëherë peshorja anon edhe në kahun tjetër. John Stuart Mill, për shembull, i dha gruas së tij Harriet një meritë të jashtëzakonshme për punën e tij, edhe pse ka të ngjarë që ajo të mos ketë pasur aq ndikim sa ai pretendonte. Kjo thuhet se ndodhi më shumë nga një ndjenjë e thellë mirënjohjeje që më në fund kishte gjetur një grua që e pëlqente. Mill e shpalli në mënyrë të zhurmshme se për të gjitha idetë e tij i detyrohej asaj dhe se ajo ishte intelektualisht dhe moralisht superiore
“Sikur të isha në gjendje t’i interpretoja botës vetëm gjysmën e mendimeve të mëdha dhe ndjenjave fisnike që janë varrosur në varrin e saj, do të isha një përçues i një dobie më të madhe për botën, sesa ç’mund të lindë ndonjëherë nga ndonjë gjë që unë mund të shkruaj i paprovokuar dhe i pa ndihmuar nga mençuria e saj pothuajse e pashoqe.”- do të shkruante ai.
Anna Dostojevskaja- Një dashuri që nisi me borxhe dhe afate
Dostojevski ishte në greminë kur takoi Annën. I zhytur në borxhe, i përndjekur nga botuesit, me një kontratë që i kërkonte të dorëzonte një roman të ri brenda pak javësh përndryshe, do të humbiste të drejtat mbi të gjithë veprën e tij. Anna, një daktilografe brilante dhe me idealizëm të rrallë, pranoi të punonte me të. Në vetëm 26 ditë, ata përfunduan romanin “Kumarxhiu”.
Gjatë asaj kohe intensive pune, lindi një dashuri që do të shënonte jetën e të dyve. Anna nuk ishte thjesht një mbështetje emocionale. Ajo u bë botuesja, menaxherja, financierja dhe shpëtimtarja e Dostojevskit. Ajo solli rend dhe strukturë në jetën e shkrimtarit.
Por përtej organizimit dhe praktikës, ndikimi i saj ishte edhe krijues. Ajo lexonte veprat e tij para botimit dhe diskutonte me të për temat, për figurat dhe për personazhet. Dostojevski e respektonte mendimin e saj dhe i besonte gjykimit të saj më shumë se çdo kujt tjetër.

Pas vdekjes së Dostojevskit, Anna u kujdes për trashëgiminë e tij me një përkushtim të pashoq. Ajo botoi kujtimet e saj, ruajti dorëshkrimet dhe u bë mbrojtësja kryesore e veprës së tij në një periudhë trazirash politike dhe kulturore.
Pas çdo shkrimtari të madh…
Me botimin e biografisë voluminoze “Albert Camus: Një jetë”. Autori Olivier Todd zhvesh shtresë pas shtrese djalin e varfër nga lagjet e Algjerit, që në moshën 43-vjeçare u bë fituesi i dytë më i ri i Çmimit Nobel në histori. Letrat e pabotuara më parë e tregojnë Camus-n si një mashkull që bie në dashuri njëherashi me shumë gra.
Tek libri i tij “Rënia” (1956) “Gruaja që po mbytej” ishte në të vërtetë gruaja e dytë e Camus, Francine, e cila kaloi një krizë të rëndë mendore. Si nënë e dy fëmijëve të tij, Camus vendosi që lidhja me të, të merrte formën e një “motre”, në mënyrë që ai të kishte liri erotike. Për vite me radhë ajo e pranoi këtë rol në heshtje, derisa u thye. Sipas Todd, Francine i tha burrit të saj: “Ma detyrohesh një libër,” dhe Kamy ia shkroi atë.
Më 29 dhjetor 1959 Kammy i shkruante së dashurës së tij nga qyteti Lourmarin ku kalonte verën me familjen.
“Kjo ndarje e tmerrshme të paktën na ka bërë të ndiejmë më fort sesa kurrë nevojën që kemi për njëri-tjetrin. Do të vij të martën me makinë. Jam aq i lumtur që do të të shoh sa po qesh ndërsa shkruaj. Shihem të martën, e dashura ime, të puth dhe të bekoj me gjithë zemër.”

Veç pasionit të pandërprerë, kishte një fakt më befasues. Këto letra ishin për katër gra të ndryshme. E para për Mi, një piktore e re; e dyta për aktoren Catherine Sellers; e treta për Maria Casares, aktorja e famshme spanjolle me të cilën pati një lidhje 16-vjeçare; dhe e katërta për një amerikane, Patricia Blake.
Tolstoi dhe problemet martesore
Problemet dhe tensionet që do të përndiqnin familjen Tolstoi gjatë gjithë martesës së tyre, u shfaqën në formë embrionale pothuajse që në fillim të lidhjes së tyre. Edhe pse diferenca në moshë mes tyre nuk ishte as e tepërt dhe as e pazakontë për kohën (Tolstoji ishte gjashtëmbëdhjetë vjet më i madh se Sofia), të dy u martuan me të kaluar dhe pritshmëri të ndryshme.
Tolstoi, tashmë një shkrimtar i botuar dhe një burrë me përvojë në botë, kishte pasur shumë lidhje dashurie, përfshirë dhe një fëmijë që kishte lindur nga lidhja e tij më serioze me një shërbëtore të tij në pronën e vet (shërbëtorja në fjalë, Aksinja, do të mbetej një burim xhelozie për Sofinë gjatë gjithë jetës së saj).
Megjithatë, përkrah këtyre dyshimeve dhe xhelozive, ekzistonte një dashuri që për Sofinë mund të bëhej shpesh gjithëpërfshirëse.
Pas vdekjes së tij, dhe pas gati pesëdhjetë vitesh në shërbim të gjeniut të saj , Sofia më në fund ishte e lirë të jetonte jetën e vet. Por, në vend që ta përqafonte këtë pavarësi të shumëdëshiruar, ajo vajtoi humbjen e qëllimit që kishte shoqëruar Tolstoin deri në varr.
Më 23 mars 1911, ajo shkruante për fundin e shërbimit të saj të gjatë si sekretare e Tolstoit.
“Kam mbaruar së kopjuari ditarët e Lev me shumë trishtim! Tani nuk kam më asgjë prej tij me të cilën të merrem! Trishtim i pafund, rri gjithë ditën vetëm në shtëpi!”

Askush nuk mund ta dijë me siguri se çfarë alkimie e çuditshme i tërhoqi këta dy njerëz me karaktere kaq të vështira drejt njëri-tjetrit dhe i mbajti të lidhur, shpesh edhe kundër vullnetit të tyre. Por është e padiskutueshme se kjo martesë ishte thelbësore për jetën dhe artin e madh letrar të Tolstoit dhe se as ai, e as veprat e tij, nuk do të kishin qenë të njëjtat pa Sofinë.
Dhe duke qëndruar në linjën e shkrimtarëve të mëdhenj dhe ndikimit të grave të tyre, në këtë madhështi, shembujt janë të shumtë sesi gratë me këmbënguljen, pasionin por edhe përulësinë, kanë mbajtur peshën e madhe të suksesit të bashkëshortëve.

Rasti i Mercedesit, gruas së Gabriel Garcia Markez e cila sakrifikoi pushimet për të blerë letra që bashkëshorti të shkruantë romanin “100 vjet vetmi” apo i Matildës së Ernesto Sabatos e cila ia merrte dorëshkrimet së shoqit dhe bredhte në çdo shtëpi botuese të mundshme, e deri te Helena Kadare, e cila pranon se ka qënë daktilografja e dorëshkrimeve të Kadaresë, na kujtojnë se gjithmonë pas një shkrimtari të madh, qëndron një grua e madhe, e cila punon në heshtje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.