Art dhe Kulture

Shkrimi i Enciklopedisë shqiptare, Akademitë e Shqipërisë dhe Kosovës zgjedhin grupin e punës

Nga Gazeta Si – Për herë të parë është duke u punuar për shkrimin e një enciklopedie për shqiptarët në të gjithë trevat shqipfolëse.

1000 studiues nga hapësira mbarëshqiptare, nga fusha të ndryshme janë të angazhuar për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare” dhe afati për përfundimin e saj është së paku pesë vjet.

Kjo u bë me dije një ditë më parë, ku Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës shpallën redaksinë qendrore për krijimin e “Enciklopedisë shqiptare”, projekti i tretë madhor, pas fjalorit dhe historisë së Shqipërisë. 

Konferenca për shpalljen e redaksisë qendrore të “Enciklopedisë shqiptare” u bë në praninë e dy kryetarëve, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Skënder Gjinushi dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akademik Mehmet Kraja.

Në hartimin e enciklopedisë do të përfshihen rreth 11 akademikë, 10 do t’i ndajnë në mënyrë të barabartë Shqipëria dhe Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi tha se rëndësi mbi afatet për enciklopedinë ka edhe cilësia. “Disa thonë mund të shkojë pesë, të tjerë deri në shatë vjet në varësi të punës”, u shpreh Gjinushi.

Mehmet Kraja kryetari i ASHAK u shpreh se në punën për këtë projekt do të ndiqen parimet shkencore, si dhe për të mos qenë pjesë e polemikave. “Kjo do të jetë enciklopedi shqiptare, që përfshin shqiptarët në të gjithë hapësirën ballkanike dhe diasporën. Ne do përpiqemi dhe do të ndjekim sigurisht parime shkencore, do mundohemi të mos jemi pjesë e polemikave ballkanike”, tha ai.

Anëtarët e redaksisë

Shpallja e anëtarëve të redaksisë u deklarua nga akademik Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave. 

Redaksia qendrore e “Enciklopedisë shqiptare” përbëhet nga këta anëtarë: akademik Skënder Gjinushi- Kryetar i ASHSH, akademik Mehmet Kraja- Kryetar ASHAK , akademik Dhimitër Haxhimihali- ASHSH, akademik Rexhep Ismajli – ASHAK, akademik Marenglen Verli- ASHSH, akademik Nexhat Daci – ASHAK, akademik Shaban Sinani – ASHSH, akademik Jusuf Bajraktari – ASHAK, akademik Rauf Dhomi – ASHAK, prof. dr. Aljula Jubani – ASHSH, prof. Valbona Toska – Maqedoni e Veriut.

Struktura e redaksisë është e përbërë nga strukturat qendrore dhe vendore, ku krahas 11 anëtarëve të redaksisë qendrore të “Enciklopedisë shqiptare” janë ngritur sipas fushave përkatëse 30 redaksi në Shqipëri dhe 30 në Kosovë për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”.

Puna për enciklopedinë do të nisw në janar të vitit 2023, e cila do të dokumentojw origjinën e shqiptarëve, historinë, drejtshkrimin dhe arkeologjinë.

“Enciklopedia shqiptare” hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqe për vëllim. Në financimin e enciklopedisë do të kontribuojnë dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë