Qeveria ka vendosur të shkrijë Inspektoriatin e Mjedisit, duke bërë që kompetencat e këtij institucioni t’i kalojnë Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Në vendimin e marrë më 5 shkurt dhe të botuar në Fletoren Zyrtare, saktësohet se Ministrisë së Mjedisit i hiqen 220 punonjës nga organika duke ia shtuar Ministrisë së Brendshme. “Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2020, shtohet me 220 punonjës për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 14 484 punonjës”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Gazeta “Si” u interesua në lidhje me këtë vendim dhe burimet zyrtare pohojnë se kjo ka të bëjë me riorganizimin e Inspektoriateve dhe se kjo është arsyeja e këtyre lëvizjeve. Për të realizuar këtë janë bërë me këtë VKM edhe lëvizjet e fondeve në buxhetin e shtetit.
Në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2020 i reduktohet fondi me 49,3 milionë lekë nga buxheti i shtetit “Programe për mbrojtjen e mjedisit”, në zërin “shpenzime korente”, dhe në 47,3 milionë lekë nga buxheti i shtetit të parashikuar për “Administrimin e pyjeve”. Ky fond total i kalon ministrisë së Brendshme që përllogaritet në 93 milionë lekësh në zërin “shpenzime korente”, duke e llogaritur në buxhetin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, institucioni që është në varësi të Lleshajt. Mbrojtja e pyjeve është një tjetër kompetencë që i shtohet IKMT-së, që deri më tani është fokusuar në punën e tij në prishjen e ndërtimeve pa leje. Ndërsa mësohet se një pjesë e strukturës së Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, duke lënë të paqartë se si do të veprohet me IKMT-në për mbrojtjen e pyjeve nga ky riorganizim, pasi në strukturën e mëparshme ka pasur polici pyjore të ngritura sipas bashkive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



