Menaxhim

Shkrihet drejtoria kundër pastrimit të parave dhe krijohet Agjencia. Lidhje direkte me Policinë, BKH dhe SHISH

Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave është shkrirë përfundimisht me vendim të qeverisë, për t’i hapur rrugë Agjencisë së Inteligjencës Financare.

AIF, do të ketë detyra të njëjta si DPPP dhe disa të tjera shtesë. Sipas argumentit të qeverisë, ndryshimi i emrit është për lehtësi gjuhësore dhe sinkronizim me emërtimet europiane.

Agjencia do të funksionojë si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ajo do të kryejë edhe shkëmbimet e informacionit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale dhe financimit të terrorizmit.

Për herë të parë ky propozim erdhi nga deputeti socialist Klevis Xhoxhi verën e shkuar, dhe u finalizua orët e fundit.

Në draftin e Xhoxhit kërkohej edhe shkëputjen e kësaj agjencie nga administrata publike dhe të dalë nga statusi i nëpunësit civil, që sipas përfaqësuesve në komisionin e Ekonomisë, ishte pengesë për një staf të kualifikuar dhe eficient, një numër më të madh punonjësish dhe paga më të larta. Por sipas vendimit në Fletore Zyrtare ajo mbetet në varësi të ministrisë së Financave.

Atëherë, deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se ky propozim nuk do të sjellë asnjë të mirë në luftën kundër pastrimit të parave, sepse nuk është problemi tek emri por tek struktura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë