Lajme

Shkon në 7 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali, mbi 220 të infektuar

Ka shkuar në shtatë numri i viktimave në Itali si pasojë e koronavirusit. Mësohet se personi i infektuar që ka humbur jetën është një 62-vjeçar banor i Castiglione d’Adda, i cili kishte një numër sëmundjesh kronike në të kaluarën.

Mbi 50 mijë njerëz nga 11 bashki janë në karantinë. Shkollat në të gjithë Lombardinë janë mbyllur, po ashtu edhe shumë biznese. Komisioni Europian ka shprehur po ashtu gatishmërinë për të ndihmuar Italinë në përballimin e epidemisë duke ndarë 230 milion euro për të ndihmuar luftën globale kundër koronavirusit. Sipas mediave italiane, numri i të infektuarve ka shkuar mbi 229 persona.

Angelo Borrelli, kreu i Mbrojtjes Civile paralajmëron se në rast se numri i të infektuarve vijon të rritet, janë në dispozicion 3.500 shtretër në strukturat ushtarake, nga këto 1.789 janë nga Forcat Ajrore. Italia renditet si vendi i tretë me numër rastesh, pas Kinës dhe Koresë së Jugut, ndërsa i prekur është edhe Irani, ku janë konfirmuar 43 raste, tetë prej të cilëve kanë humbur jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë