Është shënuar viktima e 17-të si pasojë e koronavirusit në Shqipëri. Personi i fundit që ka vdekur është një 75-vjeçar.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi lajmin duke thënë se pacienti kishte mbërritur në gjendje të rëndë në Spitalin Infektiv dhe vuante nga post-hemoragjia cerebrale, diabeti dhe tensioni i lartë.
Viktima me inicialet A.C., ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid-19, ndërkohë që, gjendja e tij shëndetësore, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë është rënduar në mënyrë të menjëhershme.
Më herët, Ministria e Shëndetësisë tha se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë. Zëvendësministrja Mira Rakacolli deklaroi se numri total i rasteve të prekur është 304 dhe mosha mesatare e pacientëve është 50 vjeç, ndërkohë që 13 pacientë të tjerë janë shëruar.
“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga Spitali Infektiv. Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore COVID pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar). Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 77 pacientë,” tha zëvendësministrja.
Rakacolli shtoi se shpërndarja gjeogragike e rasteve pozitive vijon:
– Tiranë 146 raste
– Durrës 32 raste
– Lushnjë 4 raste
– Elbasan 8 raste
– Fier 25 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 22 raste
– Lezhë 11 raste
– Berat 1 rast
– Has 8 raste
– Krujë 5 raste
– Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste
Rakacolli deklaroi se Shkodra ka numrin më të lartë të të prekurve gjatë orëve të fundit, pasi personat e prekur janë në dy rrethe familjare, mes tyre dhe një fëmijë 13 vjeçar. Sipas zëvendësministres, mos respektimi i masave për distancën sociale ka bërë që rastet të shtohen me shpejtësi.
“Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike. Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19,” tha Rakacolli
Ndër të tjera zëvendësministrja ka deklaruar se mosha mesatare e fëmijëve te prekur nga COVID-19 është 8 vjeç dhe të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu shtoi se në spitalin COVID 2 janë 9 respiratorë dhe pritet të shtohen të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




