Një 34-vjeçar nga Sanxhaku i Kurbinit, i identifikuar si Vinçesk Piroli, është plagosur me armë zjarri pistoletë me silenciator mbrëmjen e të hënës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 19:00 pranë zonës së urës së Bunës në Shkodër, ndërkohë që policia nuk ka dhënë informacione të detajuara për ngjarjen.
34-vjeçari u dërgua për mjekim nga një person i paidentifikuar në Spitalin e Lezhës dhe më pas u transferua drejt Tiranës në Spitalin e Traumës për ndërhyrje më të specializuar.
Ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin e Traumës dhe ndodhet në gjendje më të stabilizuar, por gjendja e rrezikut nuk ka kaluar. Këtë të martë, policia i ka komunikuar masën e arrestit, me qëllim ekstradimin e tij në Malin e Zi, ku kërkohet nga autoritete malazeze i dyshuar për një vrasje.
Në dëshminë paraprake që ka dhënë për hetuesit, Piroli ka deklaruar se u qëllua me armë në urën e Bunës në Shkodër. Më pas, lajmëroi persona të afërm të tij që e shoqëruan drejt Spitalit të Lezhës. Policia u njoftua për këtë ngjarje nga spitali pas paraqitjes së 34-vjeçarit për të marrë ndihmë mjekësore.
Arsyeja ende nuk dihet përse nuk u dërgua në Spitalin e Shkodrës. Dyshimet janë se drejt Lezhës u dërgua nga frika e një tjetër atentati që mund t’i bëhej në kryeqendrën e veriut.
Personi që e ka transportuar, sapo e ka futur në spital është larguar, edhe pse kamerat e sigurisë pritet që ta identifikojnë.
Në fakt, Vinçesk Piroli është një person në kërkim ndërkombëtar. Sipas informacioneve paraprake nga policia, i riu kërkohet nga autoritetet e Malit të Zi për një vrasje të ndodhur në 4 korrik të vitit 2021 në Ulqin, ku u ekzekutuar për vdekje, Momçillo Gjurishiç.
Për këtë ngjarje, policia malazeze shpalli në kërkim ndërkombëtar Vinçesk Pirolin dhe Dorjan Lalën, si persona të dyshuar. Hakmarrja është pista kryesore e hetimit, e ndërsa dyshimet janë se 34-vjeçari mund të jetë edhe një vrasës me pagesë.
Dyshimet lindën, sepse në mars 2017, djali i një malazezi, i quajtur Momçillo Gjurishiç, ka vrarë me armë zjarri shtetasin nga Kosova, Beqë Likaj, 53 vjeç.
Pas vrasjes së këtij të fundit, në 4 korrik 2021 u ekzekutua Momçillo Gjurishiç dhe autor kryesor është Vincens Piroli së bashku me një tjetër shqiptar. Pikërisht plagosja e tij mbrëmjen e të hënës, mendohet të ketë të bëjë me këtë ekzekutim në shenjë hakmarrjeje.
Por si dhe pe ndodhi vrasja e Gjurishiçit në Mal të Zi? Sipas mediave malazeze, Gjurishiç ka deklaruar se e ka vrarë shtetasin nga Kosova, pasi e ka gjetur në banesë me të dashurën e tij.
Ai është mbrojtur duke thënë se kur vajti në banesë dhe shpërtheu derën, e ka gjetur Beqë Likajn të zhveshur dhe pasi janë përleshur, ai për vetëmbrojtje e ka qëlluar me armë.
Ndërsa ish-e dashura e Gjurishiçit, Mirnesa Divljanoviç, ka pohuar se ajo dhe viktima që ishte thjesht një mik i saj, sapo ishin ulur në shtëpi, kur Savo ka hyrë dhe e ka vrarë Beqë Likajn.
Gjurishiç u kap pas 10 orësh dhe u dënua nga drejtësia malazeze me 13 vjet e gjysmë burg, por familja e tij që në atë periudhë kishte deklaruar se kanë frikë nga hakmarrja e familjarëve të viktimës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.