Arsim

Shkollat publike dhe private thyejnë ligjin, të dhënat e nxënësve janë ‘sheshit’

Nga Gazeta Si- Shkollat në vendin tonë janë kthyer në han pa porta për të dhënat personale. Ato nuk ndjekin ligjin për të mbrojtur të dhënat dhe privatësinë e nxënësve, duke publikuar imazhet e tyre në video dhe foto në rrjetet sociale pa miratimin e prindërve.

Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale ka kryer hetime në 20 shkolla (16 publike dhe 4 private) në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Lushnje, Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Kukës ku është konstatuar se shkollat disponojnë llogari në platformën “Facebook” dhe “Instagram”, në të cilat pasqyrojnë aktivitete të zhvilluara, ndër të tjera, duke i ilustruar/publikuar online nëpërmjet fotografive dhe videove të nxënësve të shkollës, të marra gjatë aktiviteteve mësimore, kulturore, festa, etj.

“Rezulton se në disa raste, shkollat nuk aplikojnë deklarata lidhur me dhënien e pëlqimit nga ana e prindërve/kujdestarit ligjor për nxënësit nën 18 vjeç, si dhe për vetë nxënësit mbi 18 vjeç, për publikimin e pamjeve fotografike dhe videove në rrjetet sociale, në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së të dhënave personale”, thuhet në raportin e Komisionerit.

Zyra e Komisionerit vlerëson se, publikimi i të dhënave personale të nxënësve (fotografi dhe video), në llogaritë e krijuara dhe të administruara në rrjetet sociale (Facebook, Instagram, etj.), pa siguruar pëlqimin paraprak të prindërve dhe/ose të kujdestarëve ligjor, nuk gjen mbështetje në asnjë parashikim ligjor konkret me qëllim që të konsiderohet i ligjshëm.

Gjithashtu, në disa raste është konstatuar se edhe kur plotësohet formulari i pëlqimit, në të cilin shprehet dakordësia për publikimin e fotografive të fëmijëve, nën 18 vjeç, si dhe për vetë nxënësit mbi 18 vjeç, rezulton se informimi nuk është i plotë në lidhje me qëllimin dhe mënyrën e përpunimit të të dhënave personale, personin që do t’i përpunojë të dhënat, afatin e mbajtjes së të dhënave, masat e sigurisë, të drejtat që subjektet e të dhënave gëzojnë (akses, korrigjim dhe fshirje) etj.

Gjithashtu, në ambientet e veçanta të shkollës, ku punonjësi i shërbimit psiko-social ushtron veprimtarinë, në kuadër të identifikimit dhe trajtimit të problematikave të ndryshme, sipas nevojave psiko-sociale të subjekteve të të dhënave, është konstatuar se të dhënat sensitive të grumbulluara gjatë aktivitetit, ruhen pa afat, në kundërshtim me ligjin.

Njëkohësisht, duke marrë në konsideratë natyrën sensitive të të dhënave që administrojnë konstatohet se, për ofrimin e shërbimit psiko-social nuk janë marrë masa të përshtatshme sigurie, me qëllim parandalimin e rreziqeve të tilla si aksesi i paautorizuar tek të dhënat, shkatërrimi, humbja, përdorimi, etj.

Ndërkohë, një tjetër problematikë është se personeli i shkollave kanë adresë emaili domain-e privat si “gmail, yahoo, etj”, po në kundërshtim me ligjin.

Për pasojë, Komisioneri thotë se komunikimi elektronik i të dhënave nëpërmjet adresave email nën domain-et private, rrezikon cenimin e të dhënave personale të cilat komunikohen midis palëve.

Gjithashtu, punonjësit që kanë akses dhe përpunojnë të dhëna personale nuk janë të trajnuar, çka e bën më të vështirë ruajtjen e të dhënave në mënyrë të sigurt.

Në disa raste, as nuk aplikohet “Deklarata e konfidencialiteti” me punëmarrësit të cilët kanë akses në mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave personale.

Komisioneri vlerëson se, qëllimi i nënshkrimit të “Deklaratës së konfidencialitetit”, është që të gjithë punonjësit të cilët kanë akses në të dhënat personale, të kuptojnë qartë dhe drejtë detyrimet që ata kanë mbi përpunimin e të dhënave personale dhe ruajtjen e konfidencialitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë