Gazeta Si – Një emigrant shqiptar, që hyri ilegalisht në Britaninë e Madhe me gomone dhe më pas u përfshi në trafikim droge, është përballur me një vendim deportimi, tre vite pas mbërritjes së tij.
Elvis Zoto, 22 vjeç, u dënua me 2 vjet e 9 muaj burg për trafik kokaine të pastër dhe së fundmi, Gjykata e Lartë ka miratuar dëbimin e tij, pavarësisht përpjekjeve për të vonuar procedurën me pretendime për azil.
Sipas “Daily Mail”, Zoto publikonte hapur në rrjetet sociale udhëtimin e tij të paligjshëm nga Franca në Dover në qershor 2022 dhe postoi madje formularin e regjistrimit në Ministrinë e Brendshme britanike. Ai pranoi se kishte kaluar Kanalin me ndihmën e një kontrabandisti dhe e cilësoi udhëtimin si “të lehtë”.
Pas mbërritjes, ai kërkoi azil dhe u strehua në një hotel me katër yje (Crowne Plaza) në Basingstoke, por u arratis përmes një dritareje vetëm dy ditë më pas. Pavarësisht se Ministria e Brendshme e konsideroi kërkesën e tij për azil të tërhequr, ajo nuk ishte në gjendje ta kontaktonte, edhe pse kishte numrin e tij të telefonit.
Në nëntor 2023, Zoto u arrestua nga Policia e Essex gjatë një ndalese, duke rezultuar në akuzë për trafik droge të klasit A.
Ai u dënua në prill 2024 dhe përballoi automatikisht procedurat për dëbim. Megjithatë, ai pretendoi se ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore dhe kishte ende një kërkesë azili në pritje, duke fituar të drejtën e apelimit.
Në korrik 2025, Gjykata e Lartë rrëzoi apelimin e Zotos dhe i dha dritën jeshile dëbimit të tij, duke nxjerrë në pah dobësitë e sistemit të azilit.
Aktivistët theksojnë se rasti është shembull i nevojës për reforma urgjente në politikat e imigracionit për të parandaluar abuzimet dhe përfshirjen e emigrantëve në rrjete kriminale.
Një video e postuar në llogarinë e Zotos në rrjetet sociale TikTok menjëherë pasi ai u arratis nga hoteli i azilit ku ndodhej, e tregonte atë të ulur jashtë një kafeneje në një rrugë të ngarkuar në Londër.
Videoja shoqërohej me emoji që qeshnin. Imazhe të veçanta e tregonin atë duke pozuar me tufa të mëdha me kartëmonedha 20 dhe 50 paundëshe.
I pyetur nga gazetari i fshehtë i “Mail on Sunday”, kur po pozonte si emigrant, në lidhje me rreziqet e kalimit të Kanalit, Zoto tha: “Mos u frikësoni. Arrita me varkë. Një udhëtim që nuk kërkon shumë para dhe më të mirën për ju”.
Në një mesazh të mëvonshëm, ai shtoi: “Të mbajnë në paraburgim maksimumi dy ditë, pastaj të dërgojnë në një hotel. Në qendrën e paraburgimit janë kushte të mira.. U thua atyre se je i martuar dhe ky është fundi i historisë. Duhet të largohesh nga hoteli dhe thjesht të presësh që të afërmit të të hipin në makinë. Unë u largova nga dritarja e atij hoteli… U zhduka… Mbaj një profil të ulët dhe pas një muaji gjej një avokat”.
Më shumë se 12,600 shqiptarë erdhën në Britani me varka të vogla në vitin 2022 përpara se një marrëveshje kthimi ta ulte këtë numër. Në atë kohë, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) paralajmëroi se bandat shqiptare të drogës po përdornin rrugën për të sjellë punëtorë në Mbretërinë e Bashkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



