Njerez

Shkodra, ‘Itaka’ ku gjithmonë kthehesh / Arian Çuliqi dhe Rozafa Shpuza rrëfejnë rikthimin

Nga Liridon Mulaj– Në Shqipërinë e pas viteve 90-të zhvendosja ose imigracioni i brendshëm u shndërrua në një lëvizje masive. Nuk kishte kushtëzime dhe as emërimë si dikur, dhe lëvizja drejt qendrës u kthye në një aspiratë për secilin, i ri apo i vjetër. Kështu Tirana u bë toka e premtuar e shumë shqiptarëve të cilët për një kohë të gjatë e patën ëndërruar këtë qytet. Kësaj zhvendosjeje nuk i rezistuan as shkodranët, të cilët panë qytetin e tyre të shkatërrohej kulturalisht por edhe ekonomikisht në vitet e para të tranzicionit.  

Nëse shumë prej tyre erdhën dhe u zhvendosën në Tiranë, shumë pak prej tyre u kthyen sërish. Por Shkodra me gjithë shndërrimet si qytet , dhe si duket me rikthimin e një lloj jete ende të pranueshme, mbetet Itaka ku shkodranët aspirojnë të kthehen një ditë.

Poetja dhe fotografja Rozafa Shpuza dhe rregjisori Arian Çuliqi janë vetëm dy nga shkodranët  të cilët pas një periudhe të gjatë jetese dhe rrugëtimi profesional në Tiranë, kanë vendosur të kthehen dhe të jetojnë e të punojnë në Shkodër.  Në një rrëfim për Gazeta “ Si” ata shpjegojnë arsyet e vendimit të  ikjes nga Shkodra dhe më pas rikthimit pas shumë vitesh, sërish në Shkodër.

Çuliqi: U ktheva për të ripërtërirë rrënjët. Humori është thelbi i këtij qyteti dhe ka qenë e mbetet mënyra ime e jetesës.

Regjisori i mirënjohur i humorit Arian Çuliqi prej dy vitesh është rikthyer në Shkodër, ku punon si drejtor i teatrit “Migjeni”  dhe jeton aty me kohë të plotë.  Për Gazeta “Si” ai rrëfen se pasioni i tij i parë ka qënë kitara si shoqërues në festivalin e fëmijëve në Shkodër. Ishin shfaqjet në teatrin “ Migjeni” fillimisht si spektator dhe më pas si aktor episodik që i ngjallën dashurinë për teatrin dhe aktrimin. Dhe sigurisht, Tirana ishte qyteti ku ëndrra do të realizohej.

Arian Çuliqi

“Asokohe nuk më dukej se po lija Shkodrën, por se po vija në Tiranë për të rritur veten e për të ndjekur ëndrrat e mia që kishin lindur në “Pallatin e Pionierit” në Shkodër si kitarist i vogël shoqërues në orkestrën e Festivalit të Fëmijëve (një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore të asaj kohe që ka mbetur i tillë edhe sot e kësaj dite), e si shikues i përhershëm i shfaqjeve në Teatrin “Migjeni”,  që më kishte dhënë kënaqësinë e ngjitjes në skenë si nxënës e si adoleshent në dramën “Gjaku i Arbërit”. Por vetëm në Tiranë ishte mundësia e zhvillimit dhe realizimit të ëndrrave, kështu që ishte e pashmangshme ikja” -nis rrëfimin Çuliqi.

Ai thotë se karriera e tij në Tiranë nisi në teatrin e Universiteteve si aktor dhe më pas rregjisor , çka e bënë të njohur menjëherë.

“Mora pjesë në festivalin e teatrove të universitetit me një rol episodik që e zhvillova vetë dhe fitova vendin e parë. Ndërkohë isha afruar të bashkëpunoja dhe të shkruaja për Revistën “Studenti”. Shtëpia e kulturës së Qytetit Studenti u bë shtëpia ime e vërtetë dhe shumë shpejt u bëra regjisor i Universitetit të Tiranës, ngrita një trupë teatrore dhe sallës së shfaqjeve iu detyruan të vendosnin hekura në dritare, sepse thyheshin dyert për të mbushur sallën. Këtë hap të rëndësishëm në karrierë ma fali Tirana, qyteti “Studenti” -vijon rrëfimin ai.

Por rikthimet në Shkodër kanë qënë të përhershme për Arian Çuliqin, për të takuar miqtë dhe për të kujtuar shëtitjet e gjata në pedonale.

“Natyrisht, fundjavat më së shumti ishin në Shkodër. Për më tepër, në Shkodër kisha një grup miqsh e shokësh me të njëjtat ambicie, që na bënin bashkë shëtitjet në pedonale apo mbrëmjet e vona duke diskutuar për prirjet kulturore të kohës. Dhe të gjithë ata miq sot janë emrat e njohur të skenës kulturore shqiptare. Vetëm një qytet si Shkodra mund ta ofrojë këtë pasuri shpirtërore”

Për të vetmia intelektuale sot, e ka bjerrë dhe krijmtarinë apo cilësinë e artit. Sipas tij pa një kolektivitet mendimesh dhe aspiratash, arti e ka të pamundur të jetë cilësor.

Sipas tij, Shkodra kishte një mendim kritik dhe analitik të cilin në Tiranë nuk e gjeti. Ai thotë se Tirana ishte më skematike dhe më pak pranuese ndaj shakave apo kritikave me sarkazëm që shkodranët bënin ndaj pushtetit por dhe ndaj njëri tjetrit.

“Sot vë re me keqardhje që konkurrenca, vetmia i ka bërë njerëzit të mos vlerësojnë frymën e grupit, të atmosferës së miqve që mblidhen pa interesa varësie me njëri-tjetrin për të diskutuar për çdo gjë që ka të bëjë me fushën e tyre, grupe që ndajnë të njëjtat parime për jetën dhe që shpërfaqin mendimet e tyre si intelektualë aktivë duke ndikuar sa munden në shoqëri. Në rininë tonë kjo frymë na ka rritur dhe formuar.

Shëtitjet netëve të vona ishin diskutime për librin e fundit të botuar, për shfaqjen e fundit të parë, për filmin e fundit në ekran, për çka bëhej jashtë kufijve të shtetit me sy e veshë në radiot e televizionet e huaja. Unë nuk besoj se ka pasur qytet më të përparuar dhe më kritik edhe në këtë drejtim se Shkodra, që kishte nuhatje të shihte me realizëm zhvillimet e kohës dhe të mos qëndronte në rresht e të pranonte uniformitetin e mendimit. Ndoshta kjo ka qenë dhe ajo që më ka befasuar kur jam shpërngulur në Tiranë: nëse në Shkodër mund të bëje shaka lirshëm me shoqërinë, të vije në lojë apo të shikoje në mënyrë kritike udhëheqjen e kohës, në Tiranë duhet të ishe më i kujdesshëm. Dukej sikur atje shpëlarja e trurit kishte përparuar dukshëm” , thotë Çuliqi.

Rikthimi i tij ka vonuar për arsye se Shkodra gjatë periudhës së tranzicionit pësoi një rrënim total duke e humbur shkëlqimin si qytet. Ai pohon se rikthimi në Shkodër ndodhi në kohën e duhur, për të ringritur dhe një herë estradën e humorit e cila ka qënë gjithmonë shpirti i këtij qyteti.

“Kthim nuk e kisha menduar, se Shkodra, për fat të keq, gjatë periudhës së tranzicionit të stërzgjatur e kishte humbur shkëlqimin e vet. Nuk kishte më atmosferën e dikurshme, miqtë e dikurshëm, jetën kulturore të dikurshme. Por e gjykova si një shans për ta provuar kthimin: së pari për të rizgjuar ëndrrën e skenës, dëshirën për të ringritur një trupë të estradës, për të ripërtërirë humorin e shëndetshëm që ka karakterizuar gjithnjë qytetin. U ktheva për të ripërtërirë rrënjët: humori është thelbi i këtij qyteti dhe ka qenë e mbetet mënyra ime e jetesës. Nuk mund të kisha shans më të mirë se në Shkodër për të rikthyer këtë zhanër në një formë më të përsosur e më moderne, si antidot për mediokritetin e kohës ku po jetojmë” rrëfën për Gazeta “Si” ai.

Të rinjtë janë fokusi i punës së përditshme të Arian Çuliqit. Sipas tij Shkodra duhet ta ngrejë në një nivel profesional dhe të duhur atë çka e prodhon natyralisht, humorin. Por siç e thotë dhe vetë, duke e ruajtur të paprekur nga banaliteti dhe surrogatet e sotme të cilat sipas Çuliqit po ndikojnë për keq të brezi i ri.

“Frymëzimi im janë dhe mbeten të rinjtë: jam investuar për të ngritur një trupë të rinjsh që e duan skenën dhe që mund të përbëjnë bërthamën e një trupe të së ardhmes që mund të rizgjojë shfaqjet e estradës, apo cabaret shoë, për ta thënë me termat e sotëm, po që në vetvete janë e njëjta gjë. Një qytet duhet të ruajë atë që ka thelbësore dhe të veçantë, e në këtë kuptim është e pafalshme të mos kultivohet e ngrihet në një stad më të lartë, më të përpunuar ajo që ky qytet prodhon në mënyrë natyrale: humori.

Të mos harrojmë se kur flasim për humorin, flasim për vetinë më të lartë të shpirtit njerëzor, për një inteligjencë maksimale që bën ndryshimin dhe i fal kënaqësi, tolerancë dhe hapje mendjes njerëzore e shoqërisë në përgjithësi. Por duhet të jemi të kujdesshëm të themi se kur flasim për humorin, nuk e kemi fjalën për banalitetin surrogat që sundon në ekranet tona me të ashtuquajtur humor, bazuar në përqeshjen e talljen e figurës njerëzore. Një humor i tillë, për fat të keq, po rrit një brez bullizues, tallës ndaj mikut e shokut, keqtrajtues dhe banal” vijon rregjisori.

Në Shkodër, ai është i njohur i të gjithëve dhe për këtë fakt respektohet nga të gjithë. fakti që ka një publik të madh dhe artdashës e bën të ndjehet mirë dhe të lumtur. Po ashtu dhe talentet nuk mungojnë.

“Shkodra, pas rrënimit gjatë viteve të braktisjes së madhe, të depresionit të madh në luftën për ringjallje e rikthim, është një qytet që ka ruajtur të paprekur, si në asnjë qytet tjetër, dëshirën për të zhvilluar artin dhe kulturën. Është qyteti me spektatorin më të mirë, që ende mbush sallat e teatrit apo të takimeve letrare. Është qyteti që nxjerr talente pafund në muzikë, art e letërsi. Shkodra më bën të ndjehem më i plotë. Shkodra ka qenë gjithnjë brenda meje dhe sot ndjehem unë më i plotë brenda saj. Nuk ka më bukur se të jetosh në një qytet ku të njohin të gjithë, të respektojnë e të përshëndesin e të thonë: “Si ke nje”? Edhe gjuha, dialekti yt është muzikë e ushqim për shpirtin”

Rikthimi në Shkodër për Çuliqin është një përplotësim i karrierës së gjatë dhe një stad sa profesional po aq dhe shpirtëror e gjithashtu rigjetja e dialektit aq të dashur, gegënishtes së Shkodrës.

“Ne lindim brenda një gjuhe dhe kur detyrohemi ta tjetërsojmë apo të jetojmë në mjedis tjetër gjuhësor, nuk ndjehemi tërësisht vetja. Shkodra është nga ato qytete që shkodranishten e vet e ka ruajtur të paprekur dhe e ka ngritur në art e letërsi. Pasi kam kryer një rrugëtim të plotë në karrierën time, nuk ka më bukur se ta shijoj atë në qytetin tim, si në një familje të madhe mikpritëse, ngushëlluese, mbështetëse dhe frymëzuese në të njëjtën kohë” përfundon rrëfimin Arian  Çuliqi.

Rozafa Shpuza:  “Qysh se më kanë pagëzu me emnin Rozafa, fati jem asht destinu për me kenë i lidhun pashmangënisht me Shkodrën”

Për fotografen dhe poeten Rozafa Shpuza ikja nga Shkodra u bë për arsye se Shkodra nuk i ofronte mundësinë të përmbushtte pritshmëritë e saj. Gjithashtu ajo kujton dhe bisedën me babanë për vendimin e marrë. 

“M’ kujtohet nji bisedë me tim atë, kur mora vendimin me shku në Tiranë. “Ruju zhumhurit kryeqytetas! Atje nuk ke me kenë ma e miklueme, siç je këtu”  nis rrëfimin  Shpuza.

“Ka kenë viti 1996. Anipse kisha përfundu studimet shkëlqyeshëm, anipse u rreka me ba nji punë të dytë, herë në një gazetë private, herë në Radio Shkodra, herë në nji organizatë humanitare si Oxfam, assesi nuk m’u dha mundësia që me i përmbushë pritshmënitë e mia. E ndjeja se mund të baja shumë ma tepër, ndërkohë që kisha dhanë mësim në Fushë-Arrës, Barbullush dhe Shtoj të Ri” thotë Shpuza për  Gazeta “SI”.

Rozafa Shpuza

Por Rozafa Shpuza thotë se ikja e saj drejt Tiranës në kërkim të mundësive , nuk ndikoi në dashurinë e saj për Shkodrën dhe rikthimet e shpeshta aty. E gjithashtu rrëfen  se edhe pse jetoi për 25 vite në Tiranë, ajo kurrë nuk e ndërroi dialektin gegë të Shkodrës.

“Kam ardhë thuajse çdo fundjavë në Shkodër. Nuk më ka ba kurrë për vedi Tirana. Gjithmonë e kam ndi vedin mik atje. Në Shkodër kisha miqtë e mi të mirë, në Shkodër kisha muzat e thuajse tanë krijimtaria jeme i kushtohet këtij qyteti, e për ma shumë kisha familjen teme, (më kujtohet se sa herë nisesha për Tiranë, nana ma mbushte çantën me ushqime të shijshme). Kam botu libra e kam hapë disa ekspozita fotografike, e tana këto arritje t’miat kam ardhë me i promovu në Shkodër. Anipse kam punue në institucione të randësishme, nuk e kam ndërru për asnji moment të folunën. Për gati 20 vjet rresht i kam urue “nadja e mirë” kolegët e mi në parlament”.

Ajo e lidh krijmtarinë e saj poetike por dhe profesionin e fotografes me dashurinë që i ka ngjizur Shkodra, qytet i cili sipas saj ka qënë destini i saj qysh prej pagëzimit me emrin Rozafa

“Kajherë mendoj se qysh se më kanë pagëzu me emnin Rozafa, fati jem asht destinu për me kenë i lidhun pashmangënisht me Shkodrën. Shkodra asht vendlindja, asht mrizi që m’dha forcë me thy barrierat, asht tamli prej të cilit u ngjiz talenti me thurë vargje e me fotografue, asht votra ku, bashkë me dy vëlleznit, u rrita prej dashnisë së prindërve të mrekullueshëm dhe nji gjysheje fisnike” vijon rrëfimin Shpuza.

Të qënit shkodrane dhe pjesë e një familje intelektuale për Rozafën është fat. Biblioteka e pasur me libra të zgjedhur  e shtëpisë së saj dhe prezenca e familjarëve në jetën e saj kanë shënjuar periudhën e fëmijërisë dhe rinisë së Rozafës. 

“E konsideroj fat ekzistencën e nji biblioteke të pasun në shpi dhe leximin e letërsisë së zgjedhun, prejse im atë kujdesej shumë për këtë gja. Nana, nji farmaciste e përkushtueme, më dha mirësi e butësi shpirtnore, ndërsa prej gjyshes mora aftësinë me përballu situatat me qetësi e matuni. Kam kenë gjithmonë e rrethueme me miq të mirë, kam pasë mësues e pedagogë të mençëm, kam jetu në nji shpi me oborr në qendër të qytetit… kësisoj, i gjithë ky mozaik faktesh e ndjesish më kanë ba kjo që jam, më kanë dhanë zgjuarsinë, delikatesën, talentin, forcën e karakterit… e për mu, kjo asht Shkodra në kuptimin emocional e intelektual” 

Shtëpia e prindërve dhe galeria e artit që ka në pronësi, e shtynë Rozafën të vendoste përfundimisht rikthimin në qytetin e lindjes. Kjo dhe si për të përmbushur edhe profecinë e të atit .

“Mbas 25 vjetësh në Tiranë vendosa me u kthy në Shkodër, prejse ky qytet ka vetinë me m’tërhekë kah vedi sado larg të rrugëtoj, edhe për faktin se këtu kam nji galeri arti për të cilën pritshmënitë e mia janë të nalta, këtu kam shpinë e prindërve që vetmonte pas grrilave të mbyllun, kam kujtime… tekembramja këtij vendi i përkas.

Tiranës i mora atë që më duhej e tash mendoj se kam fitue aq përvojë e aftësi sa me i ba ballë sfidave. E prore më kujtohet fjala e tim ati “Atje nuk ke me kenë ma e miklueme, siç je këtu”. Kam gati dy vjet që jam rikthye e tana energjitë e mia sikur u ripërtërinë, u mikluen… Provova me ba gjana që s’i kisha deri m’tash: shkruva një tekst kange dhe fitova çmim, kurova një ekspozitë fotografësh në Galerinë e Arteve të Shkodrës, e cila u pëlqye nga artdashësit, isha skenariste e nji prej edicioneve ma të dashtuna në qytet, siç asht “Ndërmendje”,  pikturova në telajo e ngjyrova disa fasadave mjerane tue i dhanë sharm nji lokali të vogël, të cilën e menaxhoj bashkë me tim shoq, pres e përcjell artistë nga mbarë bota dhe e kam shpirtin plot” thotë Rozafa Shpuza.

Por një ndër arsyet e tjera që e shtynë Shpuzën të kthehej ishte edhe ndryshimi për mirë i Shkodrës.  Gjallëria e qytetit dhe jeta dinamike që sipas saj , i janë rikthyer qytetit.

“Duhet me pohu krejt sinqerisht se Shkodra ka ndryshu për mirë. Mendoj se turistët e shumtë që po vizitojnë qytetin ia kanë shpejtu ritmin dhe rrugët janë gjallnu. Vë re se njerëzit veshin rroba me ngjyra e kjo më ban me besu se janë të lumtun (ndoshta asht veç i jemi ky konstatim paksa naiv). Por disa gjana s’ka ndryshue në Shkodër, si për shembull, gjumi i zhegut, gjyvrekët me birrë, dashnia për biçikletën”

Rozafa Shpuza e thotë me bindje se Shkodra, është Itaka ku duhet të rikthehesh patjetër, dhe këtë ndjesi ajo e shpreh dhe me poezi.

“ Për mue asht vendi ku duhet me u rikthy patjetër. Për me iu gjegjë ma sinqerisht kësaj pyetjeje, po ndaj me ju disa vargje t’mijat:

Shpirti i nji qyteti me shi

Mirë se t’gjeta qyteti jem,

me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave,

strehë t’qindisuna me hej malli,

gjethnaja t’bame zhubël

si teshat e dashnorëve ndër oda hotelesh,

hapa të stërpikun me sekrete rrugicash,

çadra që flirtojnë me ritëm shtrëngatash,

gështenja që gërsasin mbi ethe zgarash

e frymë stërgjyshash t’ngujuem ndër korniza.

Mirë se t’gjeta qyteti jem…

M’gjegjet veç nji bubullimë

që shkapetë dritaret e harrueme çilë,

teksa zigzagu i vetimës arrnon retë e shkyeme.

S’ka vransinë që ia shuen etjen qytetit tem,

anipse shinat s’prajnë tue ia njomë

buzët zhuritun mallit.

Litarë shinash e përkundin prajshëm

e qyteti miklohet si mica afër votrës…

Por askush s’vëren avullin e mbas-shiut

kur ngutet me rrokë gjokset e tjegullave

ku përplasin krahët pëllumbat,

që nisen saora me shpuplue dashni t’bame qullë,

bashkë me mirazhe andrrash

përqafun me tym oxhakësh vetmitarë.

Nata ka me shprazë prore shi

e refreni i qytetit ka me nisë sparit..”

Në një kohë kur emigracioni dhe kryesisht zhvendosja për shkaqe dhe arsye të ndryshme është normale , rikthimet gjithnjë janë më të rralla. Por ka njerëz për të cilët nëse ikja është gjithmonë e kushtëzuar, rikthimi mbetet ëndrra e madhe e jetës, dhe që i shndërron ata në një Uliks modern, në kërkim të Itakës së tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë