Sociale

Shkodra ende nën ujë, 110 banesa të përmbytura. Peshkopia zbardhet nga dëbora

Gazeta Si - Sipërfaqja e tokave të përmbytura në Bashkinë e Shkodrës mbetet ende kritike, pasi vijojnë shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.

Numri i banesave me prezencë uji ka arritur në 110 nga 30 që ishin më parë. Në total janë 1400 ha të përmbytura ndërsa rruga e Obotit mbetet me prezencë uji 85 cm.

Në rrugën e Obotit ka prezencë uji 85 centimetra. Në krahasim me një ditë më parë ka një rënie me 5 centimetra.

Emergjencat Civile njoftojnë se ka prezencë uji në oborre, stalla dhe garazhe në 110 banesa. Në Obot ka prezencë uji në 95 banesa, ndërsa në Muriqan, Xhakaj, Kurtaliaj e Gallubë në 15 banesa.

Atje operojnë 2 mjete të kalueshmërisë së lartë të ushtrisë. Ndërkohë në Dajç vijon po ashtu të jetë përmbytur 100 hektarë tokë bujqësore. Në rrugën Shirq-Darragjat nuk mund të kalohet pasi ka prezencë uji në nivelin 70 centimetra.

Emergjencat civile kërkojnë pako ushqimore për banorë e bllokuar nga uji, bazë ushqimore për blegtorinë dhe çizme të gjata rreth 50-deri në 60 palë për Obotin. Ujësjellësi Oblika 1 vijon të jetë jashtë funksionit.

Ndërkohë, bora e parë zbardh qytetin e Peshkopisë në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje. Gjatë natës ka pasur reshje të dobëta bore të cilat vetëm sa kanë zbardhur çatitë, ndërsa në zonat malore mbi 800 metra trashësia shkon deri në 10 centimetra.

Temperaturat kanë rënë në 0°, por pa shkaktuar probleme. Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme pa probleme.

Rruga e Arbrit është e kalueshme pasi gjatë natës, është kriposur dhe në gatishmëri janë 3 borëpastruese në bypass-in e Qafës së Murrizit.

Aksi Peshkopi-Kukës është i kalueshëm, ndërsa aksi Ura e Çerenecit-Librazhd i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë. Rrugët rurale që lidhin qytetet me qendrat e njësive administrative janë të kalueshme.

Ka disa fshatra që kanë vështirësi, ku kalimi bëhet i detyrueshëm me zinxhirë. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike vijon normalisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë