Materialet zgjedhore kanë nisur të shpërndahen edhe në qytetin e Shkodrës, pavarësisht se bashkia kishte venodsur t’i kyçte godinat shkollore. Kryebashkiakja Voltana Ademi kishte nxjerrë urdhrin për të mbyllur këto objekte pasi janë në pronësi të këtij institucioni.
Tek shkolla “Edit Durham” e këtij qyteti dera është shpërthyer me forcë. Pas shpërthimit materialet zgjedhore janë futur brenda shkollës, e cila sherben per qender votimi. Edhe në disa shkolla të tjera shkollat janë hapur forcërisht dhe nuk është zbatuar vendimi i kryetares së bashkisë Shkodër në mënyrë që në këto shkolla të administruara nga ana e bashkisë të futen persona të paautorizuar. Dyert janë hapur me forcë dhe komisioneret kanë futur materialet brenda shkollës.

Menjëherë pas këtij akti ka reaguar bashkia e Shkodrës, ku me anë të një deklaron e dënon këtë akt.
“E indinjuar për mosrespektimin e urdhërit tim në lidhje me ambientet publike në pronësi të Bashkisë Shkodër nga KQZ-ja, urdhër i bazuar në Kushtetutë, Dekretin e Presidentit të Republikës, Ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Në cilësinë e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, denoncoj publikisht ndërhyrjen e jashtëligjshme në institucionet në pronësi të qeverisjes vendore nga ana e Policisë së Shtetit. Këto veprime të pastra diktatorialo-politike, për hapjen e dhunshme me thyerje e dëmtim të institucioneve publike, po dhunojnë haptas dhe ditën për diell vlerat demokratike. Gjithashtu janë duke njollosur të drejtën e votës së lirë, të pa manipuluar, të barabartë apo të blerë nga mafia”, shprehet kryebashkiakja Ademi.

Gjithashtu ajo bëri të ditur se bashkia po monitoron dhe dokumenton hap pas hapi të gjitha këto akte, që cilësohen si të pakuptueshme ndaj pronave të qeverisjes vendore dhe do të informojë institucionet vendase dhe të huaja, si OSBE-ODIHR.
Mëngjesin e sotëm bashkia e Shkodrës kishte bllokuar shkollat në qytetin e Shkodrës ku ishin parashikuar ngritja e Qendra të Votimit. Nëpërmjet një letre të vendosur në hyrje të ambienteve shkollore, bashkia njoftonte se po zbatonte dekretin e presidentit për mos të pasur zgjedhje më 30 qershor dhe se çdo dhunim i këtyre objekteve përbënte vepër penale,
Pas këtij konflikti për shkollat, si një strategji e drejtuesve lokalë të opozitës për të bllokuar procesin, KQZ-ja mori vendime sot për të zhvendosur disa QV në shkollat e qytetit të Shkodrës.

Situata në qytetin e Shkodrës po monitorohet edhe nga vëzhguesit e OSBE-së/ ODIHIR-it. Policia ka nisur të hapë më forcë dyert e shkollave, duke bërë mundur futjen e materialeve. Uniformat blu po dokumentojnë dhe fotografojnë ccdo veprim gjatë hapjes së godinave të parashikuara si Qendra Votimi.

KQZ: Thirrje bashkisë, ja materiale u shpërndanë
Komisoni Qendror i Zgjedhjeve me anë të një deklarate i bërë një paraqitje të situatës së shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KZAZ-të drejt Qendrave të Votimit.
“Sot, sikundër Kodi Zgjedhor përcakton, të 90 KZAZ-të po shpërndajnë materialet zgjedhore drejt 5417 Qendrave të Votimit ,në të gjithë Shqipërinë. Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka përfunduar nga 53 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhore, ndërkohë të gjithë KZAZ-të e tjera janë drejt përfundimit të këtij procesi. Përjashtim bën KZAZ nr. 6, bashkia Vau i Dejës, ku për shkaqe tashmë të njohura, materialet zgjedhore u ridërguan në orët e para të ditës së sotme, ëka diktoi vonesën në nisjen e procesit të shpërndarjes së bazës materiale për 53 Qendrat e Votimit që ka kjo KZAZ”, tha zëdhënësja Drilona Hoxhaj.

Ndërkohë, në Qarkun Shkodër, sipas KQZ rezulton që rreth 50 % e qendrave të votimit vazhdojnë ende të mbahen të mbyllura nga autoritet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje kryetares së Bashkisë Shkodër të bashkëpunojë në respekt të ligjit.
“Në bazë të neneve 248, 325 të Kodit Penal këto veprime konsiderohen vepër penale; shpërdorim detyre dhe pengim i subjeketeve zgjedhore. Sikundër sot keni ndjekur mbledhjet e KQZ-së, me vendim është autorizuar ndryshimi disa vendndodhjeve të qendrave të votimit. Ky ndryshim, pavarësisht se jo për shkak të forcave madhore, ashtu sikundër Kodi Zgjedhor përcakton, ishte i detyrueshëm për të garatuar që ccdo qendër votimi, ditën e nesërme, të jetë e hapur për zgjedhësit shqiptarë”, theksoi Hoxhaj.
Të gjithë KZAZ-të që administrojnë procesin zgjedhor në zonat ku u bënë ndryshime të qendrave të votimit, duhet të afishojnë listat e zgjedhësve në vendndodhjet e reja, të caktuara me vendim të KQZ-së. Ndaj, KQZ kërkon mirëkuptimin e zgjedhësve të këtyre qendrave të votimit për këtë veprim të detyruar, si edhe kërkon që të informohen dhe të kontrollojnë faqen zyrtare të KQZ-së, për të qenë të mirëorientuar ditën e nesërme për t’iu drejtuar qendrave të votimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




