Lajme

Shkodër, Rama hyn nga rruga dytësore. PD i bllokoi urën e Bahçallëkut

Pas rreth 1 ore, mbështetësit dhe simpatizantët e opozitës zhbllokuan hyrjen e qytetit të Shkodrës, duke lejuar qarkullimin e automjeteve. Pavarësisht tentativës për të bllokuar ardhjen e kryeministrit Edi Rama nga hyrja e Shkodrës tek ura e Bahçallëkut, shefi i qeverisë mbërriti në qytet nga një rrugë dytësore, asaj nga Vau i Dejës dhe ka vijuar rrugën drejt Bashkisë së Malësisë së Madhe, aty ku ka dhe takimet e para.
Për rreth një orë, mbështetësit e PD janë organizuar për të penguar eskortën e tij.
Ata u mblodhën në urën e Bahcallëkut por edhe në urën e Spatharit në Vau Dejës duke bllokuar të dy anët që lidhen me Shkodrën.
Protestës iu bashkuan edhe ish-deputetë demokratë që u përplasën me policinë.

“Është e drejtë e qytetarëve të protestojnë. Jeni duke mbrojtur bandën dhe jo shtetin. Edi Rama nuk përfaqëson shtetin por një bandë që vret dhe vjedh shqiptarët”, shprehet ish-deputeti Flamur Noka.

Në vendngjarje ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Gjithashtu protestuesit u vunë flakën edhe dy gomave.
Ndërkohë, në një postim në “Twitter”, kreu i qeverisë shprehet i keqardhur për protestuesit, të cilët i quan ‘grup i vogël njerëzish’.
“Rrugës për Malësi të Madhe. Sinqerisht i keqardhur për grupet e vogla të njerëzve të mbledhur kthesave nga ata që pasi e çuan në qorrsokak PD, orvaten më kot të çojnë në qorrsokak edhe Shqipërinë! Pak nga pak edhe këta njerëz do e kuptojnë se fajin ua kanë udhëheqësit e verbër”, shkruan kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë