Kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi procedohet penalisht për shkak të bllokimit të bërë me mbylljen e shkollave ku ishin ngritur Qendrat e Votimit. Mbi të rëndon akuza për tentim të pengimit të zgjedhjeve, i parashikuar nga neni 330, pika 1 dhe 2 e Kodit Penal.
“Procedohet Kryetarja Bashkisë Shkodër Voltana Ademi për veprën penale të “Pengimi i zgjedhësit”, pasi duke ushtruar funksionin dhe autoritetin e saj si kryetare e Bashkisë Shkodër, ka urdhëruar me shkrim punonjësit e kësaj bashkie të mbyllin disa Qendra e Votimi (shkolla), të cilat administrohen në pronësi të Bashkisë Shkodër, konkretisht 53 Qendrat e Votimit.
Materialet u referuan hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor , Shkoder per vepren penale te “Pengimi i zgjedhësit” parashikuar nga neni 330/1/2 i Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin zyrtarë.

Ademi urdhëroi mbylljen e 53 Qendrave Votimi që ishin ngritur në shkolla, me argumentin se dekreti i presidentit Ilir Meta kishte anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.
KQZ është detyruar që të ndryshojë disa herë Qendrat e Votimit në qytetin e Shkodrës për shkak se bashkia kërkonte largimin nga shkollat, duke i vendosur për herë të parë drejtoritë e institucioneve që janë në varësi të ministrive, si Zyra e Tatimeve, Zyra e Punësimit, etj.
Pas këtij lajmi reagoi edhe Ademi, e cila theksoi se ka zbatuar ligjin dhe Kushtetutën. Në një deklaratë për mediat, kryebashkiakja Voltana Ademi tha se ka prova me video që do i dorëzojë në Prokurori. Ajo thotë se të gjitha veprimet e saj janë bazuar në dekretin e presidentit Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, dhe me një dekret tjetër caktoi 13 tetorin si datë zgjedhjesh.
“Procedimi penal nuk është i ditës së sotme. Është paralajmëruar dje në transmetim direkt nga komisarët e KQZ, nga kryeministri. prefekti, ministri i Brendshëm. që publikisht kërcënuan një kryetare bashkie në detyrë, në përputhje të funksioneve të saj. Nuk habitem nga procedimi që u njoha vetëm përmes medias. Dua të deklaroj se unë si kryetare e bashkisë, nuk kam shkelur asnjë ligj dhe kështu asnjë nga punonjësit tanë dhe asnjë qytetar i Shkodrës. Bashkia ka zbatuar vetëm kushtetutën. Kam zbatuar ligjin për vetëqeverisjen vendore”, tha Ademi.
Ajo i bëri thirrje qytetarëve të përballojnë dhunën dhe presionin që sipas saj po bëhet ndaj administratës publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



