Rend dhe Ligj

Shkodër, nusja bën për spital vjehrrën 82-vjeçare. Djali nuk njoftoi as policinë e as ambulancën!

Gazeta Si - Një 82-vjeçare në Shkodër, Nazmie Buci, u dhunua fizikisht dhe përfundoi në spital nga nusja e saj, 43-vjeçarja Elmira Buci, e cila është vënë në pranga.

Ngjarja ka ndodhur para dy ditësh, por në vend që djali i saj 50-vjeçar të njoftonte policinë dhe ambulancën, kanë qenë fqinjët ata që kanë reaguar dhe ndihmuar të moshuarën.

Pas denoncimit të rastit, policia ka arrestuar nusen, e cila sipas dëshmisë së të moshuarës, e ka goditur vjehrrën me bastunin me të cilin lëviz 82-vjeçarja.

Por ajo që e bën edhe më dramatike këtë ngjarje, sipas dëshmisë së vetë të moshuarës, është mungesa e reagimit të djalit të 82-vjeçares.

Ylli Buci, 50 vjeç, pasi erdhi nga puna, as nuk e dërgoi në spital nënën e tij dhe as nuk njoftoi policinë për të dënoncuar rastin, por kritikoi të ëmën, duke i thënë se pse kishte bërë fjalë me nusen.

“Unë isha në shtëpi. U kap nusja me mua. Më kapi shkopin se unë eci me shkop, jam me ishemi. Më goditi. Më ka ngritur prej këmbësh. Djali s’ka qenë në shtëpi. Por nuk më çoi në spital, s’më bëri asgjë, vetëm më pastroi fytyrën, sepse isha mbuluar me gjak. Tani unë 82 vjeçe, të më bëjë kështu?!”, - rrëfen Nazmije Buci.

“Komisariati i Policisë Shkodër ndaloi shtetasen E. B., 43 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi ka kallëzuar vjehrra e saj 82-vjeçe, se 43-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. 82-vjeçarja po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër”, njoftoi policia.

Ngjarja ndodhi para dy ditësh më 10 shtator, ndërsa të nesërmen, pasi e moshuara ka dalë jashtë, kanë qenë fqinjët, të cilët pasi e kanë parë gjendjen e saj, kanë telefonuar policinë dhe ambulancën.

Sipas burimeve paraprake, Nazmie Buci nuk mundi të lajmërojë asnjë person, sepse nusja e saj i kishte thyer celularin.

Gruaja e moshuar mori mjekim në spital dy ditë pasi u dhunua dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Ajo jeton prej afro 5 vitesh nga momenti kur djali i saj u martua me Elmira Bucin, e arrestuar nga policia e Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë