Në qytetin verior të Shkodrës është goditur një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në afërsi të shkollave dhe Universitetit.
Në sajë të operacionit policor të koduar “Pedonalja”, Policia e Shkodrës ka sekuestruar 990 tableta me lëndë narkotike të dyshuar “Ekstazi”.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë poseduesi i lëndës narkotike.
Si rezultat i operacionit, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të Shkodrës, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit M. K., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Policia njofton se mbi bazën e provave të grumbulluara gjatë hetimit 3-mujor me metoda speciale, si rezultat i të cilave rezultoi se 24-vjeçari kishte aktivitet kriminal në drejtim të shitjes dhe prodhimit të narkotikëve, Strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Pedonalja”.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti një sasi prej 310 copë tableta të dyshuara si lëndë narkotike “Ekstazi”, të cilat po i shpërndante.
Në vijim të kontrollit, në një banesë që ky shtetas e mbante me qira, policia gjeti edhe 11 qese farmaceutike me një total prej 680 copë tableta, të dyshuara si lëndë narkotike të llojit “Ekstazi”.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 990 tableta lëndë narkotike e dyshuar e llojit “Ekstazi”.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



