Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën “arrest me burg” për 3 të arrestuarit si bashkëpunëtorë për atentatin ndaj Ferdinand Polisë, i njohur ndryshe si “Nardi i bujtinave”.
Seanca, e cila kryesohej nga gjyqtari Andri Ymeri u zhvillua me dyer të mbyllura. Ndërkohë, ashtu si në polici, edhe para trupit gjykues ata kanë mohuar akuzën.
Gilbert Toma, 26 vjeç, Kleandro Toma, 29 vjeç dhe Alfred Martini, 20 vjeç, që të tre banues në Shkodër u arrestuan të hënën (25 mars). Ndërsa u shpall në kërkim autori i dyshuar i vrasjes, i identifikuar nga policia vetëm me inicialet K. S., 27 vjeç.
Alfred Martini ka pranuar se i ka dhënë makinën e tij autorit të vrasjes ditën e ngjarjes, por thotë se nuk e dinte se kishte planifikuar vrasjen. “Makinën më datë 20 mars në mëngjes ja kam dhënë shtetasit K. S., por nuk e dija që ai kishte planifikuar vrasjen”, tha ai. Makina tip Audi u gjet e braktisur pas vrasjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



