Shkencëtarët kanë zbuluar një variant të ri të HIV/AIDS në Holandë që është më infektues dhe më i dëmshëm për shëndetin. Sipas tyre këto gjetje tregojnë se mikrobet patogjene jo gjithmonë evoluojnë për t’u bërë më pak virulente.
Varianti i ri “VB” – për nëntipin virulent B – tregoi dallime të rëndësishme përpara trajtimit me ilaçe antiretrovirale krahasuar me individët e infektuar me variante të tjera të HIV-it, thonë studiuesit, përfshirë ata nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar.
Individët e infektuar me këtë variant kishin një ngarkesë virale midis 3.5 dhe 5.5 herë më të lartë se ata të infektuar me variante të tjera, sipas studimit të botuar në revistën “Science” të enjten.
Në të kaluarën, studiuesit kanë ngritur shqetësime se virusi HIV-1, i cili ka prekur mbi 38 milionë njerëz në mbarë botën dhe ka shkaktuar 33 milionë vdekje deri më sot, mund të zhvillojë mutacione të reja që mund të kenë ndikime të rëndësishme në transmetueshmërinë e virusit.
Analiza e re e mbi 100 personave të infektuar tregon se varianti VB rrit numrin e grimcave virale në gjakun e një personi dhe i bën ata më të prirur për të transmetuar virusin. Megjithatë, studiuesit shtojnë se me fillimin e trajtimit, individët me variantin VB kishin rikuperim dhe mbijetesë të ngjashme të sistemit imunitar me individët me variante të tjera të virusit. Virusi HIV shkakton dëme në sistemin imunitar duke sulmuar qelizat limfocitare CD4 dhe studimi zbuloi se shkalla e rënies së qelizave CD4 tek ata të infektuar me variantin e ri ishte pothuajse dy herë më e shpejtë, duke i vendosur ata në rrezik të zhvillimit të SIDA-s shumë më shpejt.

Shkencëtarët bëjnë thirrje për studime të mëtejshme për të kuptuar mekanizmin që e bën variantin VB më të transmetueshëm dhe të dëmshëm për sistemin imunitar. Këto njohuri mund të çojnë në objektiva të reja për ilaçet antiretrovirale të gjeneratës së ardhshme.
“Përpara këtij studimi, gjenetika e virusit HIV dihej se ishte e rëndësishme për virulencën, duke nënkuptuar se evolucioni i një varianti të ri mund të ndryshonte ndikimin e tij në shëndet,” tha Chris Wymant, autori kryesor i studimit nga Instituti “Big Data” i Universitetit të Oksfordit dhe Departamenti i Mjekësisë Nuffield.
Studimi nënvizon gjithashtu nevojën që individët në rrezik të infektimit me HIV të kenë akses në testime të rregullta për të lejuar diagnostikimin e hershëm, të ndjekur nga trajtimi i menjëhershëm, thonë studiuesit.
Varianti i ri u identifikua fillimisht në 17 individë HIV pozitiv nga projekti BEEHIVE – një studim i vazhdueshëm që mbledh mostra nga e gjithë Evropa dhe Uganda.
Meqenëse 15 prej këtyre individëve vinin nga Holanda, shkencëtarët më pas vlerësuan të dhënat nga një grup prej mbi 6700 individësh me HIV pozitivë në Holandë nga të cilët identifikuan 92 individë të tjerë me variantin. Ata vlerësojnë se ky variant mund të jetë rritur fillimisht gjatë fundit të viteve 1980 dhe 1990 në Holandë dhe u përhap më shpejt se variantet e tjera gjatë viteve 2000. Megjithatë, studiuesit thonë se përhapja e saj ka qenë në rënie që nga viti 2010.
Burimi:The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje