Mitologjia hindu dhe teoritë me baza fetare kanë qenë gjithmonë pjesë e pandarë e shoqërisë indiane dhe si të tilla janë reflektuar edhe në mbledhjen e fillimvitit të Kongresit Indian të Shkencës.
Kjo ishte mbledhja e 106 në historinë e këtij Kongresi. Në të merrte pjesë edhe Kryeministri indian, Narenda Modi. Gjasat janë që ky Kongres të mos mbahet mend gjatë për prezantimin e ndonjë shpikjeje, zbulimi, apo teorie të rëndësishme, por për hedhjen poshtë të zbulimeve të Isak Njutonit dhe Albert Ajnshtajnit.
BBC citon një shkencëtar (nëse mund të quhet i tillë) të Universitetit Tamil Nadu. Sipas BBC tha gjatë fjalës së tij se Njutoni dhe Ajnshtajni kanë gabuar në lidhje me valët gravitacionale, made këto valë as që duhet të quhen “gravitacionale”. “Duhen quajtur valët Narendra Modi, sipas emrit të Kryeministrit”, deklaroi shkencëtari.

Çudia “shkencore indiane” mori përmasa më groteske kur Negashuar Rao, zv.kancelar i Universitetit Andhra interpretoi sipas versionit të tij një tekst të shkruar në hinduizmin e lashtë. Sipas tij, në tekst thuhet se “mbreti-demon” Ramayana, një prej figurave kryesore të hinduizmit kishte 24 avionë dhe një rrjet aeroportesh të ndërtuara në Sri Lankan e sotme.
Jo të gjithë mbështetën këto “zbulime”. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shkencore të Indisë reagoi duke e distancuar këtë shoqatë nga deklaratat në fjalë.
“Ne nuk i mbështesim këto kendvështrime. Na vjen keq që ka ende deklarata të tilla, por ne distancohemi nga to”, deklaroi Premendu Mathur për agjencinë AFP.
Kritikët e tjerë kërkuan që shkrimet e lashta hindu të mund të lexohen dhe interpretohen përsa kohë janë fetarë, por kur u mvishen rezultate “shkencore” shndërrohen në të pakuptimtë.
India ka një raport kompleks me shkencën. Nga njëra anë është vendlindja e disa emrave të rëndësishëm në kërkime shkencore, si Satyendra Nath Bose, bashkëkohës i Albert Einstein e Ashoke Sen, por ka edhe një traditë të gjatë të zëvendësimit të shkencës me mitologjinë, duke prodhuar një kulturë pseudoshkencore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




