Politike

Shkëlqimi dhe rënia e Arben Ahmetajt

Prej 2005-s, kur Edi Rama mori kontrollin e Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj ka ngjitur gradualisht shkallët e pushtetit, por aktivizimi brenda partisë dhe në qeverisje daton më herët, që nga koha e Fatos Nanos.

Ka qenë përfaqësues i qeverisë shqiptare në procesin e negociatave me Bashkimin Europian lidhur me Marrëveshjen e Stabilizm Asociimit dhe kryetar i Grupit Negociator me Komisionin Europian për Komunitetin e Energjisë.

Në karrierën e tij Ahmetaj ka mbajtur funksione të rëndësishme si zv.ministër në Ministrinë e Integrimit Europian (2004-2005) dhe zv.ministër në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (2003-2004). Ka kryer funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë dhe në CV-në e tij thuhet se ka qenë përgjegjës për hartimin e politikave dhe legjislacionit të ri fiskal (Kodi Fiskal, Akcizat dhe legjislacioni i ri për taksën direkte).

Në këto vite emri i tij u përmend për herë të parë dhe prokuroria nisi hetimet për një aferë të dyshuar korruptive me impulset e Telekomit, në atë kohë kompani shtetërore. Sipas akuzës, Ahmetaj bleu 4 herë më lirë mbi 18 mln impulse, duke i shkaktuar një dëm prej rreth 50 mln dollarësh kompanisë shtetërore.

Prokuroria e mbylli çështjen pa gjetur prova që të fajësonin Ahmetajn, që në 2009 u zgjodh për herë të parë deputet dhe në 2013-n mori edhe postin e Ministrit të Sipërmarrjes. Në 2016-n ai kalon në drejtimin e Financave pas dorëheqjes së Shkëlqim Canit, por vetëm në mandatin e dytë dhe të tretë të Edi Ramës u shndërrua në bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë në ekzekutiv.

Në 2018-n ishte mes emrave që u larguan nga kabineti për t’i lënë vendin Anila Denajt, ndërsa do të rikthehej pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku Rama i besoi procesin e rindërtimit, që sipas preventivit të Qeverisë kushtonte rreth 1 miliard euro.

Si ministër Shteti për Rindërtimin u konfirmua edhe pas zgjedhjeve të 2021-it dhe Rama ja forcoi pozitat duke e emëruar edhe zv.Kryeministër, në vend të Erion Braçes.

Ahmetaj konsolidon edhe më tej pushtetin brenda ekzekutivit, kur me një akt normativ Qeveria e përfshin atë edhe në bisedimet me kompanitë e prodhimit të vaksinave anti-Covid, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Në këtë kohë sapo shpërtheu skandali i inceneratorëve. Nga shoqëria civile dhe opozita ishin dorëzuar një seri padish në SPAK kundër inceneratorëve dhe mes të paditurve nga ana e PD-së ishte edhe emri i Arben Ahmetajt.

Përveç opozitës, Arben Ahmetaj nuk ‘ishte komod’ as për një pjesë të deputetëve socialistë. Erion Braçe ishte njëri prej tyre që e akuzonte për politika të gabuara fiskale, sidomos në sektorin e bujqësisë.

Të gjitha këto akuza e përplasje për rolin e Arben Ahmetajt në koncesionin e inceneratorëve, por edhe për rindërtimin, ku një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit vinte theksin te mungesa e transparencës dhe mosrespektimi i procedurave, ushqyen për muaj me radhë zërat se Edi Rama do ta largonte nga kabineti qeveritar.

Zyrtarisht, Edi Rama thotë se largimi i Ahmetajt nuk lidhet me asnjërën nga këto, por me nevojën e ndryshimit të prioriteve, që tashmë nuk është rindërtimi, por energjia dhe negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Ai e falenderon Arben Ahmetajn dhe të paktën për rindërtimin e cilëson atë një proces me sukses spektakolar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë