Analize

Shkelja e të drejtës ndërkombëtare në konfliktin e Lindjes së Mesme

Lufta e SHBA-ve dhe Izraelit në Lindjen e Mesme është e paligjshme, por duket se kjo nuk ka më rëndësi për udhëheqësit botërorë

Gazeta Si – Sipas pjesës të madheekspertëve, sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

E njëjta gjë vlen edhe për sulmin e SHBA-ve ndaj Venezuelës në fillim të janarit. Megjithatë, këto shkelje janë bërë aq të shpeshta dhe të paturpshme, saqë e kanë dobësuar jashtëzakonisht të gjithë strukturën e ligjit ndërkombëtar, deri në atë pikë sa ai rrezikon të minohet plotësisht.

Nëse shtetet më të mëdha dhe më të rëndësishme të botës, si SHBA-të, nuk e respektojnë atë, ligji ndërkombëtar konsiderohet i shkelur.

Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, shtetet nuk mund të luftojnë me njëri-tjetrin dhe duhet të “zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre ndërkombëtare me mjete paqësore”.

Ky është një nga gurët themelorë të ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, ka disa përjashtime, më i rëndësishmi prej të cilëve është vetëmbrojtja: nëse një shtet është viktimë e një sulmi të armatosur, ai mund të përgjigjet me forcë. Ky nuk është rasti me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në lidhje me Iranin.

Administrata e Donald Trump në fakt është përpjekur ta paraqesë sulmin ndaj Iranit si një akt mbrojtjeje: ditët e fundit, vetë Trump tha se sipas “mendimit të tij personal” iranianët “do të kishin sulmuar të parët”.

Nuk ka indikacione për manovra të ngjashme nga regjimi iranian. Këshilltarët e tij kanë thënë gjithashtu se sulmi ishte i nevojshëm, sepse Irani ishte shumë afër ndërtimit të një bombe bërthamore.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, ka thënë se nuk ka prova që Irani po punonte për një bombë bërthamore, megjithëse zotëron uranium të pasuruar në nivele afër atyre të kërkuara për përdorimin e armëve.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio tha se sulmi ndaj Iranit ishte “parandalues” dhe mbrojtës. Disa interpretime të së drejtës ndërkombëtare lejojnë një sulm të tillë kundër një kërcënimi të afërt dhe të menjëhershëm.

Por edhe në këtë rast, nuk ka prova që një sulm nga Irani kundër Shteteve të Bashkuara ose kundër forcave amerikane jashtë vendit ishte vërtet i afërt.

Në teori, ekziston një përjashtim tjetër nga ndalimi i luftës: kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së autorizon përdorimin e forcës si një formë paqeruajtjeje.

Kështu ndodhi, për shembull, në vitin 1991, kur Këshilli i Sigurimit autorizoi Luftën e parë të Gjirit të SHBA-ve kundër Irakut. Por as Shtetet e Bashkuara dhe as Izraeli nuk morën ndonjë autorizim për sulmin e tyre ndaj Iranit para dy javësh.

Sidoqoftë, diskutimet rreth ligjshmërisë së sulmeve rrezikojnë të humbasin nga sytë çështjen më të rëndësishme politike. Për Shtetet e Bashkuara të Trumpit, respekti për të drejtën ndërkombëtare nuk ka më asnjë rëndësi.

Ky është një hap i rëndësishëm cilësor krahasuar me administratat e mëparshme, të cilat të paktën u përpoqën të ruanin pamjen: administrata e George W. Bush (2001-2009) kaloi muaj duke u përpjekur të merrte autorizimin e OKB-së për pushtimin e Irakut në vitin 2003, megjithëse në fund sulmoi gjithsesi pa e marrë atë.

Për dekada, të paktën respekti formal për normat dhe procedurat e të drejtës ndërkombëtare kishte shërbyer për të mbajtur gjallë idenë se bota qeverisej nga rregulla të përbashkëta, edhe kur ato shkeleshin.

Sot, ai që quhet rend botëror ka ndryshuar dhe respekti për rregullat nuk konsiderohet më i rëndësishëm, as formalisht.

Në një intervistë në janar me “New York Times”, Trump tha: “Nuk kam nevojë për të drejtën ndërkombëtare”, duke shtuar se i vetmi rregull në të cilin mbështetet, është “morali im. Mendja ime. Është e vetmja gjë që mund të më ndalojë”.

Disa udhëheqës të tjerë botërorë e kanë pranuar këtë gjendje. Në fund të janarit, kryeministri kanadez Mark Carney, në një fjalim në Forumin e Davosit, tha se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla kishte rënë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz bëri të njëjtën gjë disa javë më vonë. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, megjithatë, pranoi se “gjithçka në vitet e fundit ka dalë jashtë ligjit ndërkombëtar”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë