Rend dhe Ligj

Shkelja e perimetrit të sigurisë në Peqin dhe Burrel, kreu i Burgjeve kërkon sisteme anti-dronë

Gazeta Si - Pas rasteve të fundit të futjes së dronëve mbi ambientet e jashtme të burgjeve shqiptare, Drejtoria e Përgjithshme e këtij institucioni ka kërkuar më shumë mbështetje financiare për instalimin e pajisjeve që parandalojnë këto sisteme.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, kërkoi këtë të hënë para Komisionit të Sigurisë në Kuvend më shumë mbështetje për të parandaluar episode të tilla që mund të shkaktojnë ngjarje të mundshme kriminale.

"Kemi bërë kërkesë për buxhetimin e sistemit anti-dron në të gjitha burgjet me qëllim parandalimin e të gjitha ngjarjeve", tha kreu i Burgjeve.

Qose tha se duhet kryer investim në sisteme anti-dronë, pasi edhe pse në 2 rastet e konstatuara së fundmi nuk ka pasur pasoja, grupet kriminale mund t’i përdorin ato për të sulmuar edhe me lëndë eksplozive persona të dënuar për hakmarrje apo për larje hesapesh.

Ditët e fundit, policia njoftoi kapjen e dy dronëve në Burgun e Peqinit dhe të Burrelit, ku në rastin e parë pajisja fluturuese kishte lëndë narkotike të llojeve të ndryshme dhe celularë.

Qose, në Komisionin e Sigurisë foli edhe një ngjarjen e rëndë të ndodhur dhjetorin e vitit të kaluar, ku Sokol Mjacaj vrau brenda në burg  me një armë zjarri tip pistoletë të dënuarin Arben Lleshi.

Ai tha se arma me të cilin u krye vrasja ishte futur në burg në mënyrë të paligjshme, ndërsa shtoi se hetimet ende nuk kanë përfunduar.

Sipas tij, nga ana e Drejtorisë së Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal.

“Më datë 15 dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë në Peqin u vra një i burgosur me armë zjarri pistoletë nga një  i burgosur tjetër. Lidhur me këtë ngjarje, rrethanat e kryerjes, bashkëpunimit dhe mënyra si kishte hyrë arma kontrabandë burgut, po kryhet një hetim i thelluar nga Prokuroria. Disa punonjës janë marrë nën hetim lidhur me veprimet dhe ndërveprimet e tyre, por deri tani nuk janë përfunduar hetimet. Sa i përket veprimeve të ndërmarra nga Drejtoria e Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal”, tha Drejtori i Burgjeve.

Në fjalën e tij, kreu i Burgjeve bëri të ditur se 7 të burgosur janë vendosur në regjimin e posaçëm “41 bis” më kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

“Sa i përket zbatimit të ligjit për regjimin e posaçëm, pas implementimit të ligjit në sistemin penitenciar, për herë të parë dhe jo vetëm në Itali por dhe në shtetin italian që është implementuar ky ligj, ka dhënë një efekt mbi të gjithë të dënuarit që kanë një rrezikshmëri të lartë dhe janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale dhe kryejnë këtë veprimtari akoma në ambientet e burgut me komunikime me anë të pajisjeve të tjera dixhitale. Në sistemin penitenciar aktualisht kemi 7 persona të cilët kanë  kaluar në regjimin e posacëm dhe janë të 7 që kanë kaluar më kerkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kemi 22 kërkesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, 7 janë miratuar, pjesa tjetër është në proces”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë