Rend dhe Ligj

Shkatërrohet banda italo-shqiptare që furnizonte grupet kriminale me kokainë dhe heroinë (Video)

Gazeta Si – Një grup trafikantësh italo-shqiptarë me veprim në Veri të Italisë është shkatërruar nga policia e Bergamos dhe Breshias në bashkëpunim me agjentët anti-mafia.

Me urdhër të Prokurorisë së Breshias janë ekzekutuar 20 urdhra-ndalimi, 15 prej të cilëve me arrest në burg e 5 të tjerë me arrest shtëpiak.

Hetimet e operacionit kanë nisur në vitin 2019 pas zbardhjes së një kanali furnizimi me drogë në komunën Pioltellos në provincën e Milanos, nga trafikantë shqiptarë banues në komuna të ndryshme të provincës së Breshias.

Disa nga të arrestuarit, me origjinë shqiptare, jetonin në zonën e Bergamos së Poshtme. Grupi, për t’u vendosur në disa sheshe të trafikut të drogës, u bë protagonist i akteve të bujshme të dhunës, madje edhe me përdorimin e armëve.

Besohet se organizata kriminale ka mundur të furnizonte kryesisht heroinë dhe kokainë për grupe të tjera kriminale që vepronin në Italinë qendrore dhe veriore.

Gjatë hetimeve, policia kreu 15 arrestime në flagrancë dhe sekuestroi 1.4 kg kokainë, rreth 14 kg heroinë, 100 lëndë prerëse, rreth 17.500 euro cash dhe dy pistoleta gjysmë automatike.

Janë kryer edhe kontrolle të shumta, gjatë të cilave janë sekuestruar rreth 74 mijë euro cash dhe është arrestuar një person për ndalimin e 700 gramë kokainë. Ndaj 20 të arrestuarve rëndon akuza e trafikut të drogës me metoda mafioze e përdorim armësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë