Rend dhe Ligj

Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Tiranës, Neritan Cena

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtarin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Neritan Cena.

Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja ka vendosur shkarkimin pasi shpjegimet e gjyqtarit në seancën dëgjimore të 2 tetorit mbi disa transaksione me prona dhe makina janë të dyshimta.

Cena rezulton pronar i një apartamenti në Tiranë i blerë nga babai pjesërisht nëpërmjet një huaje nga kunata, si dhe dy prona të blera në Bremen të Gjermanisë, për të cilat janë përdorur mes të tjerash disa dhurata në cash nga persona të lidhur si babai apo motra.

Cena rezultoi gjithashtu se në dy raste ka arritur të shesë automjete me çmime më të larta nga çmimi i blerjes. Në një rast, një automjet ML është blerë nga Cena për 14 mijë euro nga djali i xhaxhait të tij, i cili e kishte blerë po atë ditë për 20 mijë euro. Dhe disa muaj më vonë, automjeti është shitur sërish 20 mijë euro, një seri transaksionesh për të cilat Cena dështoi të bindë trupën gjykuese se ishin të sinqerta.

Gjyqtari Neritan Cena ka përfunduar studimet e Magjistraturës në vitin 2005 dhe është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Kurbinit. Në vitin 2006, ai u emërua në Gjykatën e Vlorës, ndërsa prej vitit 2010 e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës. Cena ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë